Kombëtarja

Shqipëri “memece”, Jordania na bën zap

Miqësoret rrallë merren seriozisht, por Shqipëria po e tepron, sepse ka kohë që nuk fitojmë lehtësisht as ndeshje me rivalë modestë. Sot jemi ndalur te barazimi 0-0 në Elbasan nga Jordania dhe ishte një ndeshje që duhej fituar patjetër, ndaj një rivali inferior, që rrallë e kaloi mesfushën tonë.

Panuçi provoi formacionin që do luajë në Izrael të dielën dhe natyrisht do të justifikohet me faktin që mendja ishte tek ai takim, por duhet kujtuar se para pak vitesh me fitoret në miqësore ndërtuam një renditje të mirë në FIFA dhe më pas ndërtuam edhe kualifikimin për në Euro 2016.

Kundër Jordanisë ishte një miqësore me ritëm të ulët, dominuar nga kuqezinjtë, por me raste të pakta për shënim. Të gjitha rastet ishin në portën jordaneze dhe dukej sikur do shënonim në çdo moment, por kemi probleme të mëdha dhe kryesori është ai i mungesës së njeriut gol. Armando Sadiku ka lënë një boshllëk të madh në sulm dhe Manaj nuk është ende gati ta mbushë.

Dy herë pretenduam për penallti, arbitri nga Kosova nuk ishte dakord, ndërsa më pas humbëm edhe raste të mira, por mungoi ritmi i lartë dhe presioni konstant në portën jordaneze. Në fundin e takimit Uzuni ishte i pafat, sepse goditi shtyllën, por Shqipëria nuk bindi dhe nuk i kënaqi tifozët besnikë që ishin në stadium, sidomos TKZ, që nuk u ndal për gjithë ndeshjen së mbështeturi kuqezinjtë.

MIQËSORE

Shqipëri – Jordani    0-0

Shqipëria: Berisha, Lila, Gjimshiti, Manaj, Grezda (Balaj 46′), Xhaka (Ndoj 46′), Mavraj (Dermaku 54′), Binaku (Lenjani 61′), Mihaj (Veseli 7′), Ramadani (Uzuni 46′), Gavazaj.

Jordania: Yasin, Shilbaya, Khattab, Abdel Rahman (Al Mardi 61’), Al Arab, Al Murjan (Ta’amari 79′), Al Samrieh (Al Rawashdeh 66’), Al Bakheet, Al Basha (Marei 81′), Ahmad Ersan

Kartonë të verdhë: Lila 80′, Manaj 90′ / 27′, 83′, Al Bakheet 87′, Bani Ateyah 89′

90’+5 Balaj me kokë, gjuan jashtë. Ishte shansi i fundit!

85′ Uzuni humbet rastin e ndeshjes! Në pozicion të prirët me portën, gjuan fort dhe godet shtyllën, me topin që më pas del jashtë. I pafat sulmuesi, i cili debuton me kombëtaren A dhe do të ishte dita më e bukur e jetës, nëse e kurorëzonte me gol!

75′ Ritmi ka rënë ndjeshëm, tashmë dukemi të lodhur dhe pa asnjë ide në sulm. Zhgënjim, nëse përfundon kështu, sepse tregon që edhe me ekipe modeste si Jordania nuk dimë të shënojmë.

65′ Tenton edhe Veseli në një rrëmujë në zonë, pret portieri.

61′ Sërish ndërrime, muzika nuk ndryshon. Dominojmë pa sforcuar, në sulm jemi mediokër.

56′ Del Mavraj, debuton me kombëtaren mbrojtësi Kastrioti Dermaku. Futbollisti i Cosenza-s muajin e shkuar u bë pjesë e Kosovës, por tani ka zgjedhur Shqipërinë.

51′ Balaj kërkon një supergol me kthesë brenda zone, grushton portieri kundërshtar. Po dominojmë, por nuk dimë të shënojmë, problem i njohur tashmë.

47′ Manaj tenton nga distanca, jashtë. Ndërkohë, Dermaku, Lenjani e Kaja janë në nxehje.

NIS PJESA E DYTË – Zëvendësime dhe sërish Shqipëri sulmuese: futen Uzuni, Ndoj e Balaj, dalin Ramadani, Xhaka e Grezda.

PUSHIMI I NDESHJES – Shqipëria kontrolloi miqësoren kundër Jordanisë, por nuk gjeti dot golin. Lojë e mirë, meritonim të paktën një gol, por gabuam jo pak dhe ndoshta arbitri mund ta kishte dhënë një 11-metërsh.

44’ Manaj humbet rast të mirë. Binaku nga e majta depërton shumë bukur dhe pason në qendër, ku Manaj godet, por në duart e portierit jordanez.

42’ Manaj rrëmben top në mesfushën jordaneze, por godet nga distanca e largët, shumë keq. Ishte mundësi e mirë.

35’ Shqipëria mbetet në kontroll, por ka qetësi në fushë. Edhe në tribuna, me përjashtim të Tifozave Kuqezi.

25’ Grezda rrëzohet në zonë, goditet nga pas nga një mbrojtës, por nuk ka penallti! Arbitri nga Kosova mundohet të duket sa më neutral, ndoshta!

23’ Shqipëria rrezikon sërish dhe duket se ka pasur një kontakt në zonën jordaneze. Një faull nga pas, me lojtarin tonë që po tentonte goditjen drejt porte, por arbitri lejon vazhdimin e lojës. Më pas, Andi Lila nga distanca kërkon golin, por topi devijohet në këndore.

20’ Kalojnë 20 minuta dhe ndeshja duket me një drejtim, sepse Shqipëria po kontrollon mirë ndeshjen. Grezda ka humbur dy shanse të shkëlqyera, duhej të ishim në avantazh, edhe pse po luhet me ritëm të ulët dhe atmosfera nuk ndihmon fare që të luhet futboll pak më i egër.

12’ Eros Grezda humbet raste të arta në harkun e pak sekondave. Fillimisht çon mbi traversë një pasim të bukur nga Gavazaj, ndërsa më pas mbrojtja jordaneze i dhuron gabimisht topin, por sulmuesi i Rangers në Skoci nuk arrin të gjuajë dhe mbrojtja largon.

7’ Pak minuta ka zgjatur ndeshja e mbrojtësit të ri Enea Mihaj, i cili është dëmtuar. Futet Veseli.

1’ Nis ndeshja, Shqipëria shkelmon topin e parë.

FORMACIONET ZYRTARE – Shqipëri sulmuese, me një skemë jo fort familjare për lojtarët. Tre qendërmbrojtës, dy anësorë të shpejtë dhe Grezda i avancuar, mbështetur nga Grezda.

Më shumë nga Kombëtarja