Volejboll

Shqipëria leksion Gjeorgjisë, fiton 3-0 dhe shkon në gjysmëfinalet e Ligës së Europës

Kombëtarja e femrave në volejboll fitoi sot pasdite 3-0 ndaj Gjeorgjisë në takimin e gjashtë dhe të fundit eliminator të fazës në grupe të Ligës së Europës, duke korrur suksesin e pestë në këtë event (vajzat kuqezi kanë edhe një humbje). Shqipëria është kualifikuar për në fazën finale të Ligës së Europës, e cila do të luhet në Suedi në datat 16-17 qershor.

Ndeshja e sotme ndaj Gjeorgjisë ishte një formalitet për vajzat kuqezi, që fituan me lehtësi 3-0, një takim që zgjati rreth 60 minuta. Të trija setet u dominuan nga ekipi shqiptar, që shkëputej nga pika në pikë, duke i fituar ato me diferenca pikësh: 25-14, 25-13 dhe 26-24. Mikeshat nga Gjeorgjia për asnjë moment nuk rivalizuan, duke luajtur dobët dhe ndaj Shqipërisë e patën të pamundur të fitojnë.

Shqipëria përsëriti të njëjtin rezultat ashtu si dhe dy javë më parë në Tbilisi, një fitore e lehtë dhe pa shumë mund për ekipin e trajnerit Altin Martiri, që shpesh aktivizoi edhe lojtaret e stolit, duke u dhënë edhe atyre mundësi të zbresin në fushë. Kjo është fitorja e katërt radhazi e kombqëtares kuqezi, që po kalon një moment të mirë dhe në pjesëmarrjen e tretë në Ligën e Europës arrin të kualifikohet për në fazën finale.

Në bazë të renditjes përfundimtare të Grupin B, ku bën pjesë edhe Shqipëria (më vonë luajnë dy ekipet e tjera, Izraeli e Austria), do të mësohet renditja përfundimtare e Shqipërisë dhe se ndaj kujt do të luajë në fazën finale.

Shqipëri – Gjeorgji, 3-0 (25-14, 25-13, 26-24)

SHQIPËRIA: Bici, E.Tuci, Xheka, Marina, Prenga, Thaka, Picaku, Sejfullai, Rexhepi, Kushi, Sijoni, M.Tuci, Shehi, Dodani. Trajner: Altin Martiri

GJEORGJIA: Koraevi, Batsatsashvili, Gaprindashvili, Kipshidze, Sanadze, G.Ulumbelashvili, Beriashvili, Diasamidze, Chelidze, Sosnovskaya, Kalandadze, Markarashvili, Tchautchidze, Lobzhanidze. Trajner: Paata Ulumbelashvili

Gjyqtarw:  Vasileios Vasileiadis (Greqi), Igli Feshti (Shqipëri)

Më shumë nga Volejboll