Volejboll

Shqipëria mposht 3-0 Kosovën në miqësoren e femrave

Kombëtarja e femrave në volejboll fitoi sot pasdite 3-0 ndaj Kosovës në ndeshjen miqësore të luajtur në Gjakovë, sfidë e organizuar nga Federata Kosovare e Volejbollit, me rastin e 10-vjetorit të Pavarësisë së shtetit fqinj. Kjo sfidë u zhvillua në pallatin e sportit “Shani Nushi”, aty ku volejbollistet kuqezi arritën një fitore të merituar ndaj rivaleve vendase.

Të trija setet e dominuan nga kombëtarja e trajnerit Altin Martiri, që pati mundësi të testojë disa nga volejbollistet kandidate të kombëtares. Lojtaret kuqezi u shkëputën që në pikët e para të çdo seti dhe e thelluan diferencën me kalimin e minutave, duke e merituar fitoren dhe përsëritur suksesin e 3 muajve më parë, ku Shqipëria fitonte miqësoren me rastin e Pavarësisë së Shqipërisë.

Këtë vit, kombëtarja shqiptare e volejbollit do të marrë pjesë në disa evente ndërkombëtare, si Liga e Europës, Lojërat Mesdhetare dhe eliminatoret e Kampionatit Europian, ndaj këto sfida janë një test i mirë për stafin kuqezi. Të pranishëm edhe drejtuesit e FSHV-së, që ndoqën nga afër ndeshjen miqësore, ndërkohë që po sot do të luajnë edhe ekipet kombëtare për meshkuj.

Kosovë – Shqipëri, 0-3 (21-25, 26-28, 18-25)

Më shumë nga Volejboll