Mundje

Shqipëria rrëmben dy medalje ari në Kampionatin Ballkanik të Mundjes

Shqipëria rrëmben dy medalje ari në Kampionatin Ballkanik të Mundjes

Eriglent Prizreni dhe Paris Karepi janë shpallur kampion të Ballkanit në Kampionatin Ballkanik të Mundjes, që u zhvillua në Bursa të Turqisë. Dy mundësit shqiptarë kanë marrë medalje ari në stilin e “lirë” dhe stilin “greko-romak”, duke mposhtur kundërshtarët nga Turqia, Bullgaria, Rumania etj.

Në podiumin e më të mirëve janë ngjitur dhe tre mundës të tjerë shqiptarë të cilët kanë zënë vendin e tretë me medalje bronxi në pesha të ndryshme. Kevin Kupi, Hans Mara dhe Boris Frrokaj kanë arritur sukses duke zënë vendin e tretë në Kampionatin Ballkanik të Mundjes.

Ata kanë mposhtur kundërshtarë nga vende të tjera të Ballkanit, duke sjellë në Shqipëri tre medalje bronxi. Kjo është një arritje e madhe e mundjes shqiptare, e cila nën drejtimin e trajnerëve të talentuar Ermal Kryeziu dhe Ilir Cani, po korr suksese në kampionatet ndërkombëtare.

Vetëm pak ditë më parë në pallatin e sportit “Asllan Rusi” në Tiranë u zhvillua Kampionati Kombëtar i Mundjes për të rinj, ku morën pjesë mundës dhe ekipe nga i gjithë vendi.

Mundësit më të mirë që triumfuan në Kampionatin Kombëtar u përzgjodhën nga Federata Shqiptare e Mundjes për të përfaqësuar Shqipërinë në Kampionatin Ballkanik të Mundjes për të rinj, që u mbajt në Bursa të Turqisë.

Më shumë nga Mundje