Kombëtarja

Shqipëria U-16 kthehet me trofe, fiton trofeun “UEFA DEVELOPMENT”

Kombëtarja Shqiptare U-16 ka triumfuar edhe ndaj San Marinos, me rezultatin 3-1, në ndeshjen e fundit, e vlefshme për turneun miqësor të futbollit “UEFA DEVELOPMENT U-16”. Takimi i tretë është luajtur këtë të martë, në orën 11:00, në stadiumin “Montecchio Stadium”, në San Marino. Me këtë rezultat, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Dzemal Mustedanagic kanë grumbulluar pas tri ndeshjesh 8 pikë, duke u renditur në vendin e parë dhe kështu shpallen fitues të këtij turneu.

Përfaqësuesja jonë edhe në këtë ndeshje ka bërë një paraqitje shumë të mirë, duke pasuar rezultatet e dy ndeshjeve të para, zhvilluar në këtë turne, fitores me penallti ndaj Italisë (4-3) dhe fitores në kohë të rregullt ndaj Armenisë (2-0).  Ndeshja e luajtur sot përballë San Marinos ka qenë interesante dhe skuadra shqiptare e ka përmbysur rezultatin, teksa pjesa e parë përfundoi 1-0 për San Marino.

Në fraksionin e dytë të ndeshjes, futbollistët kuqezinj kanë reaguar menjëherë, duke shënuar tre gola, në minutat e 48-të dhe 78-të, me anë të Papës, si dhe në të 74-tën me Sulovarin. Përfundimisht, 3-1, dhe skuadra jonë kombëtare U-16 vjen me trofe nga San Marino. Në sfidën e sotme, trajneri Mustedanagic hodhi në fushë këtë formacion: Ceka, Shehu, Zaimi, Kadriaj, Doda, Sulovari, Beqiri, Elbasani, Vasjari, Kuqi, Nikaj.

Rezultatet e ndeshjeve të luajtura:
Shqipëria-Italia 1-1 (4-3, pen)
Shqipëria-Armenia  2-0
Shqipëria-San Marino 3-1

Renditja:
Shqipëria        8 pikë
Italia                7 pikë
San Marino    2 pikë
Armenia         1 pikë

 

Më shumë nga Kombëtarja