• Shtubina bën Vllazninë të festojë para sfidës me Teutën

    Publikuar: 18 Mar 10:39

    Dita e sotme ka qenë e veçantë për kapitenin e Vllaznisë, Ndriçim Shtubina i cili ka festuar 30 vjetorin e tij të lindjes. Një përvjetor që në fakt nuk ka mundur dot ta festojë me familjen e tij për shkak të angazhimeve me skuadrën në pragndeshjen me Teutën. Kuqeblutë janë grumbulluar menjëherë pas stërvitjes në ambjentet e rezidencës së tyre të zakonshme, në “Gardenland Resort” dhe pikërisht aty është zhvilluar festa. Shokët e ekipit, trajnerët dhe stafi mjekësor i kanë bërë një dhuratë të bukur, pikërisht tortën e ditëlindjes. Një tortë në formën e fushës së futbollit në të cilën spikaste edhe një foto e madhe e kapitenit. Natyrisht që urimet kanë qenë të shumta dhe njëzëri të gjithë futbollistët kanë deklaruar se fitoren e nesërme do t’ia dedikojnë pikërisht Shtubinës.

    Por ky i fundit duket se “sheqerkat” e qerasjes i ka ruajtur edhe ai për nesër, duke menduar t’i gëzojë me një gol të shënuar prej tij. Ndriçim Shtubina prej më tepër se një dekade ka dhënë një kontibut të rëndësishëm për Vllazninë duke u shndërruar në një nga lojtarët kyç të saj, por edhe duke u shfaqur si golashënues. Ai ka zhvilluar 226 ndeshje në kampionat për skuadrën shkodrane duke shënuar plot 35 gola, ndonëse nuk është një sulmues i mirfilltë. Por, ndonëse sot ka mbushur 30 vjeç, me formën që gëzon dhe mënyrën si stërvitet, sigurisht që ka për t’i dhënë ende shumë futbollit shkodran dhe Vllaznisë.

    Nga Gjergj Kola


    Lexo postimet e tjera