Futboll

Si po ndryshon Mbappe sjelljen e Neymar brenda dhe jashtë fushës?

Neymar është i vendosur për të qenë “më i miri” në Paris Saint-Germain dhe për këtë është i gatshëm të ndryshojë edhe sjelljen e tij jashtë fushës. Kur braziliani u largua nga Barcelona për në Paris në gusht të vitit 2017 për një shifër rekord prej 222 milionë eurosh, një nga arsyet kryesore ishte dëshira e 26-vjeçarit për të qenë një yll i padiskutueshëm në ekip.

Në “Camp Nou” ai shpesh ishte në hije të Lionel Messi, e ndërsa në Francë pa dyshim do të bëhej njeriu kryesor i PSG- ose kështu dukej në fillim. Megjithatë, përgjatë këtyre 12 muajve, Neymar e gjen veten sërish të “rrezikuar” nga një bashkëlojtar i tij, nga Kylian Mbappe. 19-vjeçari ka luajtur një rol kyç në Kampionatin Botëror 2018, me një perfomancë të shkëlqyer, duke u shndërruar shumë shpejt në “të preferuarin” e tifozëve në Paris. Katër golat ndaj Lyon në fundjavë përforcuan reputacionin e tij, duke e renditur pa më të voglin dyshim si një ndër lojtarët më të mirë në botë.

Pavarësisht kësaj, braziliani është i vendosur që të mos heqë dorë nga statusi i tij si ylli i PSG, edhe pse e ka kuptuar se ka nevojë për ndryshim të sjelljes.

26-vjeçari luajti një rol të rëndësishëm në blerjen e Dani Alves vitin e kaluar dhe pas kësaj ka qenë i distancuar nga këto çështje të klubit, por kjo ka ndryshuar muajt e fundit. Neymar është duke u përpjekur që të bindë mesfushorin e Manchester United Paul, Pogba të bashkohet me të në kryeqytetin francez, me qëllimin që të ndihmojë presidentin Nasser Al-Khelaifi në ndërtimin e një skuadre që mund të fitojë Ligën e Kampionëve.

Por prania e tij në çështjet e klubit, nuk është i vetmi vend ku kemi parë një Neymar të ndryshuar, me kapitenin e Brazilit që gjithashtu ka ndryshuar qasje kur është fjala për daljet në media. Me ardhjen te PSG, ai ka qenë më i pranishëm në media, duke mos iu shmangur gazetarëve; pjesë edhe të publicitetit. Ish-sulmuesi i Santos u shfaq së bashku me Thomas Tuchel në konferencën për shtyp, përpara fitores 6-1 në Ligën e Kampionëve ku foli hapur  për marrëdhënien e tij me trajnerin, rolin në fushë dhe ambiciet e përgjithshme të PSG në 2018-19. Përveç kësaj, Neymar ka bërë paraqitje të rregullta edhe në deklaratat pas ndeshjeve, gjë që nuk e kishim parë shumë kur ai ishte te Barcelona.

Dëshira e Neymar për të qenë protagonist si në fushë ashtu edhe jashtë saj, për t’u shndërruar në njeriun kryesor të PSG duket si një lajm i mirë për Al-Khelaifi dhe hierarkinë e klubit. Sulmuesi ka deklaruar privatisht në më shumë se një rast se ëndërron të luajë për Real Madridin një ditë, por ai duket se nuk ka nxituar të largohet nga PSG në këtë fazë, pas zhvillimeve të fundit.

Një lëvizje në Santiago Bernabeu nuk është objektivi i tij kryesor, tani për tani ai synon që të qëndrojë te PSG përpara Mbappe në të gjitha aspektet.

Më shumë nga Futboll