Futboll

Simeone: Jemi mirë edhe pa Diego Costa…

Simeone: Jemi mirë edhe pa Diego Costa…

Trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone, nuk ka përse të nxitohet për të marrë nga Chelsea sulmuesin Diego Costa, pavarësisht se ky i fundit dëshiron të rikthehet. Costa ishte golashënuesi më i mirë i Chelsea në sezonin e kaluar që londinezët fituan titullin, por trajneri Conte ka deklaruar publikisht se spanjolli i lindur në Brazil nuk është më në planet e tij dhe nuk e aktivizoi në Superkupën e humbur me penallti ndaj Arsenal. Costa ka shprehur dëshirën për t’u rikthyer te Atletico, por kjo skuadër nuk mund të bëj asnjë lëvizje deri në janar, si pasojë e “embargos” në merkato, që i ka vënë FIFA.

“Nuk mendoj aspak për Costa ose futbollistë të tjerë që nuk janë pjesë e ekipit tonë”

“Nuk dua të flas shumë për Costa, sepse ai është ende sulmuesi i Chelsea, – tha Diego Simeone. – Kryesorja për mua është të punoj me futbollistët që kam në dispozicion dhe të tjerat i përkasin klubit. Këtë verë më thanë se nuk mund të merrnim asnjë futbollist të ri dhe më duhet ta pranoj këtë. Ndoshta duhet të ishim përmirësuar në aspektin e cilësisë, por për momentin me skuadrën që kam në dispozicion mund të bëj një punë shumë të mirë dhe jam i kënaqur për të. Nuk mendoj aspak për Costa ose futbollistë të tjerë që nuk janë pjesë e ekipit tonë. Kjo është situata aktualisht dhe nuk e di se çfarë do të ndodhë në janar.”

Më shumë nga Futboll