Futboll

Simeone: “Shumë klube të pasura, por pak ekipe më të mira se Atletico”

I dënuar për të mos përforcuar skuadrën e tij në këtë merkato vere, ndërkohë që rivalët e tij në Spanjë dhe në Europë flasin për futbollistë me vlera mbi 100 milionë euro, trajneri i Atletico Madrid, Diego Simeone duket gjithçka, por aspak i dorëzuar apo pesimist. Përkundrazi, në një tornado financiare, argjentinasi ka zbuluar për mediat sekretin, me të cilin ai arrin të motivojë skuadrën e tij, e mbi të gjitha të bindë futbollistët bardhekuq, që të mos largohen nga Atletico Madrid përballë ofertave faraonike.

“Gjëja më e rëndësishme në këto momente kur nuk mund të bëjmë dot blerje, është puna e klubit, për të mos lejuar largimin e futbollistëve dhe rinovimi i kontratave të tyre, për të siguruar vazhdimësinë tonë. Në momentin kur u zyrtarizua dënimi për të mos bërë përforcimie, ne e hoqëm menjëherë nga mendia atë gjë. Ka shumë gjëra për të motivuar ekipin”, deklaroi Simeone.

Në lidhje me marrëveshjen morale të lidhur formalisht me klubet rivale, për të mos blerë sulmuesin kryesor të Atletico Madrid, Griezmann, trajneri argjentinas deklaroi: “Këto janë situata që nuk mund të menaxhohen, pasi nuk varen nga ne dhe ekziston shqetësimi që merkato është e mbyllur për ne, dhe ne duhet të qëndrojmë këta që jemi. Me Neymar te PSG ne jemi të gjithë të predispozuar për largimin e futbollistëve. Jam i qetë me Griezmann. Klubi po punon dhe unë përpiqem t’i bind futbollistët për faktin që ata janë pjesë e një prej ekipeve më të mira në botë. Mund të jenë shumë klube më të pasura se ne, por shumë pak skuadra më të mira se Atletico”.

“Sikurse kam thënë, klubi vijon të punojë edhe në situata të ngjashme. Unë nuk kam kohë, veç se të punoj për përmirësimin e futbollistëve që kam në dispozicion, Diego Costa nuk është futbollisti ynë dhe nuk kam asnjë koment. Sa i përket largimit të Neymar nga Barcelona, nuk mendoj se ndikon në forcimin ose dobësimin e rivalit tonë. Barcelona është Barcelona. Real, Manchester, Bayern shkojnë përtej emrave, gjëja më e rëndësishme është klubi…”, përfundoi Simeone.

Më shumë nga Futboll