Futboll

Simone Zaza përfundimisht i Valencia-s, Juve fiton 16 mln euro

Sulmuesi italian Simone Zaza zyrtarisht është pjesë e Valencia-s edhe për edicionet e ardhshme. Klubi spanjoll nëpërmjet një deklarate për shtyp ka bërë me dije se ka derdhur në arkat e Juventus-it 16 milionë euro për ta blerë përfundimisht 25-vjeçarin. “Simone Zaza do të bëhet një lojtar i Valencia në mënyrë të përhershme nga 1 korriku 2017, në përputhje me kushtet e marrëveshjes së tanishme të huazimit të nënshkruar me Juventus-in. Kontrata e re e sulmuesi italian do të vazhdojë deri në qershor 2021”, thuhet në komunikatën e Valencia-s.

Zaza ishte pjesë e bardhezinjve në sezonin 2015-16 duke e ndihmuar skuadrën të fitoj titullin e Serie A, Coppa Italia dhe Super Cup. Gjatë verës së kaluar sulmuesi i të kaltërve u huazua te West Ham, por nuk arriti të shënonte asnjë gol në 11 paraqitje në të gjitha garat për londinezët. Në janar pas interesit të vazhdueshëm të Valencia-s, drejtuesit gjetën akordin dhe Zaza u bë pjesë e spanjollve me formulën e huazimit, me të cilët deri më tani ka shënuar 4 gola në 14 ndeshje në kampionat.

Më shumë nga Futboll