• Sinani tregon rrugën: Vllaznia të synojë finalen e Kupës!

    Publikuar: 7 Jan 3:31

    Pavarësisht përpjekjeve që drejtuesit e Vllaznisë kanë nisur të bëjnë për gjetjen e ndonjë lojtari cilësor, që do ta forconte skuadrën shkodrane në këtë periudhë, një nga emrat më të njohur të historisë së këtij klubi, pikërisht Vioresin Sinani, nuk pret ndonjë gjë të madhe nga merkatoja. Prandaj, në një prononcim për “telesport.al”, ai shprehet se ecuria e kuqebluve në kampionat nuk ka për të patur ndonjë rritje.

    “Merkatoja e janarit nuk besoj se do të sjellë ndonjë suprizë për Vllazninë. Lojëtarët e mirë nuk i lëshojnë kollaj klubet, me të cilët janë nën kontratë. Skuadrës i nevojitet ndonjë blerje cilësore, sepse për lojtarë mesatarë i ka. Nuk mendoj se Vllaznia ka për të patur ndonjë ecuri shumë të mirë në gjysmën e dytë të kampionatit. Ajo thjesht do të mundohet për të qëndruar në mesin e tabelës së renditjes,” – ka thënë ai.

    Por, për golashënuesin më të mirë të historisë së këtij klubi, krejt ndryshe është situata në Kupën e Shqipërisë. Sipas tij, Vllaznia duhet të pretendojë deri në fund në këtë kompeticion, prandaj shton: “Shorti në Kupë ka qenë i përshtatshëm. Besoj se klubi ka për t’iu përkushtuar maksimalisht këtij kompeticioni, të paktën për të shkuar deri në finale. Nuk do të jetë e lehtë, megjithatë shanset janë për ta bërë një gjë të tillë”. Sinani është anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës dhe, sa herë që ka mbledhje, e ngre zërin për të ardhmen e Vllaznisë. Po ashtu, edhe për privatizimin e saj.

    Jo më kot e përmend edhe në këtë prononcim të tij, kur shprehet kështu në lidhje me këtë çështje: “Nuk e them vetëm unë, por të gjithë. Ndryshe është ecuria me një privat në krye të klubit dhe ndryshe me bashkinë. Privati i ka mundësitë financiare dhe çdo gjë tjetër për të patur një ecuri ndryshe të skuadrës. E ka treguar përvoja edhe me bashkitë e tjera se nuk mund ta mbajnë futbollin. Shpresoj të gjendet sa më shpejt një zgjidhje dhe Vllaznia të jetë aty ku i takon në futbollin shqiptar”.

    [interaction id=”5855b44b8780aab73878b24b”]


    Lexo postimet e tjera