Futboll

Sindrit Guri bind edhe trajnerin Panucci, vishet kuqezi

Një tjetër lajm i mirë për Sindrit Gurin, pas bluzës së kampionëve në fuqi, sulmuesi tani do të vishet me atë të ekipit të kombëtares shqiptare. Më në fund duket se pas kalimit tek ekipi belg i Ostendes, ai ka bindur edhe trajnerin e kombëtares shqiptare Christian Panucci për t’u bërë pjesë e saj. FK Kukësi e ka bërë të ditur këtë lajm përmes një deklarate në faqen e tyre zyrtare në “Facebook”, ku tregohet se në ftesën e mbërritur në klubin kukësian kërkohet që nga data 25 maj deri më 3 qershor, lojtari të lihet i lirë, pasi do të jetë i grumbulluar për dy ndeshjet që kombëtarja shqiptare do të luajë në Zvicër.

Shqipëria do të luajë ndaj kombëtares së Kosovës më datën 29 maj dhe asaj të Ukrainës më datën 3 qershor. Para dy vitesh Guri erdhi te Kukësi si një lojtar i zakonshëm, por falë punës së tij dhe të ekipit kukësian arriti të bëhej një nga lojtarët më të mirë të kampionatit shqiptar. Për klubin ky është një vlerësim që pohon edhe njëherë se Kukësi është një ekip me peshë në futbollin shqiptar. Sindrit Guri i bashkohet lojtarëve të tjerë që nga radhët e Kukësit janë bërë pjesë e kombëtares Shqiptare dhe asaj kosovare si Cikalleshi, Kolici, Alla, Musolli, Hoxha”, thuhet në njoftimin e bërë nga FK Kukësi.

Përgatiti: Nerilda Meda


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll