Futboll

Sirghi i pafat, mbrojtësi i Flamurtarit mund të përfundojë në operim

A keni dëgjuar ndonjë rast tjetër në botë që në një dyluftim mes lojtarëve t’i thyhet hunda njërit dhe futbollisti tjetër të mos ndëshkohet as me karton të verdhë? Mos vuani, ndodhi dje në ndeshjen e Flamurtarit kundër Kastriotit. Mbrojtësi Cristian Sirghi u godit nga sulmuesi i Kastriotit, Charles Atsina dhe la menjëherë fushën e lojës duke u dërguar me urgjencë në spitalin e Vlorës. Pas mbajtjes në kontroll nga mjekët e këtij spitali dhe analizave është mësuar dhe shkalla e dëmtimit për 31-vjeçarin.

Burime të Telesport pranë lojtarit bëjnë me dije se futbollisti ka marrë fraktura në kockën e hundës. Ai rrezikon që të operohet. Përgjigjen nëse e ka të nevojshme operimin apo jo do e marrë për dy javë. Rumuni do t’i mungojë minimalisht trajnerit Daja për 2 javë. Ai do të mund të nisë vrapimet pas 1 jave, pasi deri në atë periudhë do të ketë pushim absolut. Situata në ekipin e Flamurtarit është më e rëndë, pasi në klub nuk ka një mjek që pas largimit nga kjo detyrë e Ardi Llukës.

Përplasja e Atsinas me Sirghin në ndeshjen e djeshme

Sirghi u bashkua me vlonjatët në verën e këtij viti. Ai ka luajtur 180 minuta në formacion me Dajën, ndërsa tani i duhet të ndalet. Nga krahu tjetër, sulmuesi Charles Atsina ka kërkuar falje për ndërhyrjen ndaj mbrojtësit dhe ka theksuar se nuk e ka bërë me qëllim. “Doja të kërkoja falje të sinqertë për atë që ndodhi gjatë ndeshjes. Nuk ishte me qëllim, këto situata ndodhin në ndeshje. I kërkoj falje klubit të Flamurtarit dhe në veçanti lojtarit Cristian Sirghi. Të uroj shërim të shpejtë vëlla. Ktheu shpejt. Charles Atsina“, – shkruan sulmuesi i Kastriotit.

 

 

Më shumë nga Futboll