Kombëtarja

Situatë qesharake me votimin për kapitenin në kombëtare

Situatë qesharake me votimin për kapitenin në kombëtare

Shiriti i kapitenit gati-gati po kthehet në çështje në ekipin kombëtar, mund të quhet një çështje. Në fakt, veç lojës së dobët, rezultateve, paqartësisë në skemën e përdorur, polemikave dhe replikave me lojtarët dhe median, gjatë kohës që ka marrë drejtimin e skuadrës kombëtare, Christian Panucci, ka krijuar edhe këtë çështje.

Në fillimet e tij si trajner deklaronte se kapiten do të ishte lojtari që kishte më shumë prezenca në fushën e lojës. Ky vendim mbeti në fuqi për shumë ndeshje zyrtare dhe jo zyrtare të ekipit kombëtar. Por dy ditë më parë pati një habi të madhe, një tërheqje të trajnerit, që tha se kapiteni do zgjidhet nga lojtrët.

Kështu u bë mbledhja para ndeshjes me Jordaninë, lojtarët votuan, dhe në publik doli që zyrtarisht Mërgim Mavraj ishte fituesi i këtij votimi. Andi Lila dhe Migjen Basha, u deklarua se do të ishin dy zv/kapitenët e skuadrës. Mirëpo ndodhi habia, kur Mërgim Mavraj doli nga loja për t`i lënë vendin Dermakut, shiritin e kapitenit nuk ia dorëzoi Andi Lilës por Etrit Berishës.

Praktikisht, sipas asaj që u deklarua dhe u tha zyrtarisht, Andi Lila duhet të ishte kapiten në mungesë të Migjen Bashës në fushën e lojës. Por kjo nuk ndodhi, për këtë nuk pati asnjë përgjigje. Pas ndeshjes, në deklarimet para gazetarëve, Mërgim Mavraj u pyet në lidhje me procesin e votimit për kapitenin duke deklaruar se: “Ndodhi shumë shpejtë”, tha Mavraj.

Në krahun tjetër ishte Andi Lila ai që fliste në transmetimet direkte, duke deklaruar se: “Kërkoj të hapet kutia e votimit për të numëruar votat”, deklaronte mesfushori me batutë, por me nënkuptim brenda saj. Për momentin kjo situatë u kalua me humor, por sot, sipas  “Sportekspres”, është zbardhur se fituesi i votimit për shiritin e kapitenit ka qenë Elseid Hysaj, i cili për hir të së vërtetës nuk u aktivizua dje. Pas tij ishin Andi Lila dhe Migjen Basha, të paktën siç është deklaruar nga burimet brenda kombëtares.

As Migjen Basha nuk luajti dje ndaj Jordanisë, ndaj shiriti i kapitenit praktikisht, nëse gjithçka shtë ashtu siç është deklaruar sot, duhet të shkonte në krahun e Andi Lilës. Gjë që nuk ndodhi, pasi në fushën e lojës kapiten ishte Mavraj, ndërsa pas daljes së tij nga fusha shiriti i kaloi Etrit Berishës, që në fakt duket se as nuk është votuar nga lojtarët.

E vërteta e gjithë gjës pritet të zbardhet në vijim pikërisht në ndeshjen kundër Izraelit, për të parë nëse kapiten do të jetë Hysaj apo Mavraj dhe sigurisht për të mbyllur njëherë e mirë këtë histori qesharake, që ka krijuar konfuzion dhe absurditet në skuadër!

Më shumë nga Kombëtarja