Bundesliga

S’ka dyshime, Kovaç: James Rodriguez do të qëndrojë te Bayern Munich

Trajneri i ri i Bayern Munich, Niko Kovac, ka bërë çmos për t’i dhënë fund çdo thashethemi për një kthim të James Rodriguez te Real Madridi, këtë verë. Raportet e ditëve të fundit kanë shpërthyer në media për një rikthim të mundshëm të lojtarit në “Santiago Bernabeu”, por realiteti është se ai ende ka një marrëveshje huazimi me Bayernin, deri në verën e vitit 2019.

Duke folur në një konferencë shtypi, përpara miqësores së kësaj të shtune kundër Paris Saint-Germain, Kovac përforcoi qëndrimin e tij se kolumbiani është në planet e tij për sezonin e ardhshëm. “Në lidhje me James, unë vetëm e di se kemi një marrëveshje huaje, e cila është ende e vlefshme. Marrëveshja do të shihet dhe pastaj do të shohim nëse opsioni i blerjes do të materializohet apo jo”.

Që nga sot është e qartë se James do të qëndrojë në Bayern. Thashetheme të tilla morën jetë kur në stolin e “Los Blancos” u vendos Julen Lopetegui. Flitet se 27-vjeçari pëlqehet nga trajneri i ri i Real Madridit, e kundërta nga çfarë kishte ndodhur me Zinedine Zidane. Burime pranë “MARCA” shprehen se Lopetegui ka kontaktuar me James, me qëllimin që t’i lehtësonte rikthimin e tij në “Santiago Bernabeu”, e megjithatë siç konfirmohet tashmë nga vetë Kovaç, është një mision i pamundur, përkundrejt dëshirës së vetë lojtarit.
Përgatiti: Bruna Kazani

Më shumë nga Bundesliga