Kombëtarja

I anulohet kalimi nga salla VIP në “Rinas”, hakmarrje e ekzekutivit shqiptar ndaj kombëtares kuqezi?!

Kombëtarja jonë e futbollit i ka entuziasmuar të gjithë shqiptarët me fitoren inauguruese të Ligës së Kombeve, ndaj Izraelit. Ajo tashmë duhet të mendojë për sfidën e radhës, që do ta luajë më 10 shtator, në Skoci, ndaj kombëtares vendëse. Megjithatë, një “ndryshim plani” nga strukturat përkatëse shtetërore duket si i ka zhgënjyer kuqezinjtë, stafin teknik dhe drejtuesit e FSHF-së.

Atyre iu është mohuar kalimi nëpërmjet sallës VIP të Aeroportit të Rinasit në rrugëtimin drejt transfertës së radhës. Fillimisht, para ndeshjes, kjo gjë u ishte konfirmuar nga drejtori i Protokollit Shtetëror, më tej, pas fitores 1-0, ka ardhur një urdhër i dytë. Dhe, si gjithmonë, urdhri i dytë e anulon të parin.

Kombëtarja kuqezi duhet të kalojë njësoj si pasagjerët e tjerë në Aeroportin “Nënë Tereza”, ndryshe nga kombëtarja izraelite Natyrshëm, në këtë pikë, lind pyetja: Çfarë ka ndodhur? Zëra të ndryshëm e lidhin këtë me një zemëratë të ekzekutivit shqiptar, që nuk pati rolin e “violinës së parë” në tribunën VIP të stadiumit “Elbasan Arena”, gjatë ndeshjes kundër Izraelit.

Një rol të tillë u pa se e kishte Presidenti Ilir Meta, që nuk ngurroi të bënte edhe “shqiponjën” me duar krah presidentit të FSHF-së, Armand Duka, dhe ish-trajnerit tonë kuqezi, Xhani De Biazi. Kjo gjë nuk është “kapërdirë” dot nga kreu i ekzekutivit, prej nga mendohet se ka dalë edhe urdhri i dytë, që nuk lejon kuqezinjtë të kalojnë përmes sallës VIP të Aeroportit të Rinasit në “fluturimin” drejt Skocisë.

Më poshtë po publikojmë komunikimin zyrtar mes FSHF-së dhe Protokollit të Shtetit, ku në fillim, para ndeshjes me Izraelin, sigurohet kalimi si “VIP-a i lojtarëve, stafit teknik dhe drejtuesve të kombëtares, ndërsa më vonë, pas fitores 1-0, nuk merret përsipër kjo gjë, për shkaqe objektive gjasme: e pamundur të trajtohet një numër kaq i madh personash në sallën VIP të “Rinasit”, ndërkohë që kjo nuk është e parashikuar edhe në ceremonial…

Natyrshëm, ngrihet pyetja: Pse kombëtarja e Izraelit trajtohet normalisht në këtë sallë VIP, në ardhje dhe largim nga Shqipëria, ndërsa kuqezinjtë jo? Në rastin e përgjigjes së parë, a nuk dihej se kjo nuk parashikohej në ceremonial? Përgjigjen mund ta japë kushdo, por me siguri që këtu ka “futur hundët” politika, duke e bartur betejën e ethshme në këtë aspekt edhe në kurriz të kuqezinjve.

E të mendosh se çfarë pritjeje i bëri ekzekutivi shqiptar kombëtares pas kthimit nga “Euro 2016”, si e “lëçiti” në pikën e diellit, në një autobus të zbuluar, si e dërgoi në Ministrinë e Jashtme për t’i dhënë pasaporta diplomatike…, vënia në dispozicion e sallës VIP të Aerportit “Nënë Tereza” është hiçgjë. Por, diçka duket se ka ndryshuar në mënyrë të papritur në humorin e drejtuesve të lartë të ekzekutivit shqiptar, që e kanë nxjerrë dufin në këtë mënyrë.

Më shumë nga Kombëtarja