Futboll

S’ka më klauzolë, Messi mund të luajë me Di Marian te Barça

S’ka më klauzolë, Messi mund të luajë me Di Marian te Barça

Ousmane Dembélé dhe Philippe Coutinho po bëhen shumë të vështirë për t’u transferuar, kështu që Barcelona po mendon për alternativa të tjera në merkato. Edhe pse nuk dihet me siguri plani i tyre konkret për sulmin, pra nëse do të blejnë një apo dy lojtarë anësorë, “Marca” raporton se drejtuesit katalanas mund të bëjnë një lëvizje për Angel Di Marian.

Argjentinasi me të vërtet që ka emrin “Real Madrid” në CV-në e tij, por në këto ditë të vështira Barcelona mund ta mbyllë një sy dhe ta harrojë si detaj, duke u përqendruar vetëm te përmirësimi i skuadrës. Nënkampionët e Spanjës kanë humbur yllin e tyre, Neymar, i cili ka paguar klauzolën prej 222 milionë eurosh dhe është transferuar te PSG-ja. Kjo i shton shanset që Di Maria të shitet nga klubi parisien, aty ku duhet medoemos të ulen shpenzimet për të qenë në rregull me UEFA-n.

29-vjeçari ka edhe dy vite kontratë në Francë. Problemet me trajnerin Unai Emery e kanë larguar gjithnjë e më shumë nga skuadra, plus që nuk diskutohet fakti se nuk ka formën e dikurshme, sado që ka ruajtur dinamikën dhe klasin e tij. Lionel Messi do të ishte mjaft i lumtur të luante me bashkëkombësin e tij, sepse në kombëtare ata kombinojnë shumë me njëri-tjetrin dhe kanë një marrëdhënie të shkëlqyer.

Kur u shit te Manchester United, Di Maria kishte një klauzolë “anti-Barça”, në bazë të së cilës “Djajtë e kuq” nuk mund ta transferonin në “Camp Nou” pa lejen e Real Madridit, por tani ajo klauzolë nuk ekziston më, sepse anësori është i PSG-së. E gjitha kjo veçse përforcon mendimet e katalanasve për të ndërhyrë.

 

Më shumë nga Futboll