• Skandali i trukimit / PERSE-të, që kërkojnë përgjigje urgjente….

    Publikuar: 13 May 12:05

    Analisti dhe gazetari i njohur sportiv shqiptar, Adriatik Dosti, ka dhënë mendimin e tij mbi skandalin e video-përgjimit të menaxherit Drini Çaushi dhe futbollistit të Partizanit, Emiljano Vila, bërë public nga “Fiks Fare”, në të cilin diskutohej për tolerim të të kuqve ndaj Kukësit. Ai e analizon kështu situatën dhe ngre disa pyetje, që kërkojnë përgjigje: “Pas skandalit të regjistruar e të publikuar nga “Fiks Fare” rreth një tentative kriminale për trukim ndeshjesh e korrupsion futbollistësh, trajnerësh, menaxherësh, gjyqtarësh, presidentësh e drejtuesish në Superligën Shqiptare, lindin natyrshëm një sërë pyetjesh, ose më saktë një sërë “perse”-sh, që kërkojnë përgjigje urgjente…

    Përse ky ”tipi menaxher” zgjodhi pikërisht ndeshjen Partizani-Kukësi për ta bërë një gjë të tillë e jo, fjala vjen, kundërshtarët e tjerë të radhës së Kukësit, me të cilët mund ta kishte shumë më të lehtë…?
    Perse ky tipi zgjodhi pikërisht futbollistin Vila, për t’ia kërkuar një gjë të tillë…?
    Përse sportdashësit e Partizanit u panë dhe u dëgjuan me parrulla e thirrje kundër futbollistit të tyre, Vila, në ndeshjen me Laçin…?
    Përse dhe kush e nxiti Vilën që ta bënte skandalin public, aq më shumë ta dërgonte materialin filmik në “Fiks Fare”, pa dalë ende klubi i tij me një qëndrim zyrtar. Dhe përse Vila nuk e dërgoi zyrtarisht materialin në FSHF e mbi të gjitha në Prokurori…?
    Përse Partizani e futbollisti i tij, Vila, e bënë publike videon pa u konsultuar më parë me FSHF-në dhe më kryesorja me vetë Prokurorinë…?
    Përse FSHF-ja, në vend që të bashkërendonte urgjentisht veprimet me Partizanin, me futbollistin në fjalë e Prokurorinë, nxitoi të deklarojë publikisht se ai tipi nuk na qenka menaxher i licensuar prej saj dhe as prej kujt tjetër, duke ”saktësuar” se me atë person nuk e lidh asgjë…?
    Përse klubi i Kukësit bëri të njëjtin veprim dhe e bëri dajle këtë tipin, ndërkohë që futbollistët e tij mohuan se e kanë pasur dhe e kanë menaxher, duke e shndërruar atë menjëherë n… përkthyes”?

    Përse klubi kuksian nuk iu drejtua organeve kompetente, pasi ”akuzohet dhe shpifet”, sipas tyre, ndaj një klubi të ndershëm, ndaj një presidenti ”model e të përkushtuar”…?
    Përse po hesht kaq gjatë presidenti i Partizanit, Gaz Demi, dhe nuk ka dalë të prononcohet publikisht…?
    Përse Partizani, që shpesh ankohet e reagon me të drejtë publikisht, se e kanë luftuar jo pak herë gjyqtarët, por edhe tentativat për kompromise, për t’i penguar marrjen e titullit, këtë herë kur ngjarja është fare flagrante, është strukur diku dhe nuk po ndihet fare…?
    Përse duhet që në emër të Partizanit të flasë e të bëjë rolin e avokatit mbrojtës publik deputeti i PS-së, Erion Braçe…?
    Përse prokuroria, kur ka në dorë një fakt të tillë flagrant, me zë, figurë, emra e mbiemra, nuk ka nisur urgjentisht procedimin penal, por ka kohë të ngeshme të merret me historitë e një viti më parë të Takajt të Skënderbeut…?
    Përse nuk iu kërkohet urgjentisht organeve kompetente greke ndalimi i shtetasit shqiptar në fjalë, ai tipi menaxher, që banon në shtetin fqinj, kur tashmë janë bërë publike të gjitha gjeneralitetet e tij…?
    Përse Partizanit, për të tretin vit rresht, diçka ters do t’i ndodhë pikërisht në fund të kampionatit, në kohën kur një dorë e ka te titulli…?
    Përse trajneri Starova nuk u duk fare në media pas ndeshjes me Laçin, por ia besoi këtë rol ndihmësit të tij, Dalipi…?
    Përse skandali më parë u bë publik në media se sa të shkonte në FSHF dhe Prokurori…?
    Përse biseda është e incizuar dhe e regjistruar si në një skenar e regji të parapërgatitur mirë e me kujdes të veçantë, për t’i kaluar më pas medias e publikut dhe jo
    FSHF-së e Prokurorisë…?”


    Lexo postimet e tjera