Kampionati Shqiptar

Skënderbeu e ka me mediat: Mos abuzoni me të ardhmen tonë dhe presidentit Takaj

Ilir Daja drejt Flamurtarit; Tomori fton Ardian Takajn të bëhet president i klubit berates; Burreli i ofron postin e presidentit Ardian Takajt… Janë këto lajme të dy ditëve të fundit, që ngjajnë në fakt si fantashkencë, por iu janë ofruar tifozëve shqiptarë të futbollit. Në kushtet e shfrenimit të fantazisë, klubi korçar i futbollit ka reaguar me një deklaratë për shtyp, ku sqaron situatën dhe kërkon të mos abuzohet më në këtë drejtim:

“Duke marrë shkas nga shkrimet e publikuara gjatë këtyre ditëve në median e shkruar dhe online, ftojmë përfaqësuesit e tyre të jenë më korrektë përsa i përket informacioneve mbi Klubin e Futbollit “Skënderbeu”.

Së pari kërkojmë të mos abuzohet me merkaton dhe shifra, të cilat nuk ekzistojnë. Së dyti dëshirojmë të sqarojmë mediat dhe opinionin publik se klubi ka kërkuar pezullimin e efekteve të vendimit të Komisionit të Apelit pranë UEFA-s dhe në momentin që do të ketë një vendim nga CAS-i do t’ju informojmë, ndaj lutemi të mos keqpërdoret ky moment për të krijuar lajme, të cilat nuk ekzistojnë.

Gjithashtu, kërkojmë nga media të caktuara të mos abuzojnë me të ardhmen e presidentit Ardjan Takaj dhe stafit bardhekuq. Presidenti është totalisht i bindur tek pafajësia e plotë dhe ka marrë garancinë nga zyra ligjore, që po merret me çështjen, se gjithçka do të mbyllet me sukses, ndaj kërkojmë prej jush të mos abuzoni dhe krijoni situata, të cilat cënojnë ambientin bardhekuq.

Ndryshe nga çfarë media po pasqyron për interesa të caktuara, KF Skënderbeu po punon i qetë për të përforcuar ekipin në kuadër të pjesëmarrjes në kompeticionet europiane. E ardhmja i përket vetëm Skënderbeut. Nëse mediat kanë ndonjë paqartësi lidhur me merkaton dhe çështjen e dënimit, mund të kërkojnë informacion paraprak pranë zyrës sonë të shtypit. Faleminderit për mirëkuptimin!”

Më shumë nga Kampionati Shqiptar