Europa League

Skënderbeu fiton me vuajtje ndaj modestëve të Andorra, Tirana mposhtet në Izrael  

Skënderbeu gabon gjithçka, shtylla të dyfishta e penllati të shpërdoruara, të paktën deri në minutën e 69’, kur protagonisti i përhershëm i korçarëve, Liridon Latifi ka kaluar bardhekuqtë në avantazh, duke i dhënë fitoren e rëndësishme ekipit të tij, por njëherësh për të regjistruar edhe fitoren e vetme për ekipet shqiptare në këtë ditë të takimeve të para të vlefshme për turin e parë eliminator të UEFA Europa League. Kjo pasi veç Partizanit, që regjistroi edhe humbjen e parë në këtë të enjte europiane, përballë bullgarëve të Botev Plovdiv me rezultaitn 1-3, edhe bardheblutë e Tiranës u mundën në transfertë nga Maccabi Tel Aviv me rezultatin 2-0. Falë fitores 1-0 ndaj modestëve nga Andorra, Sant Julia, Skënderbeu mbetet skuadra e vetme që mban gjallë shpresat e ekipeve shqiptare për të vijuar përfaqësimin në skenën e madhe europiane të UEFA Eurpa League.

Skënderbeu-Sant Julia 1-0

Shënues: Latifi 69’

Pjesa e parë

Përballë modestëve të Andorras, skuadra e Skënderbeut nuk e ka aspak të vështirë të dominojë, duke ndërmarrë një sërë tentativash falë inkursioneve ofensive në gjysmëfushën e skuadrës së Sant Julia, por pa mundur dot të gjejë golin e avantazhit. Mungesa e qetësisë dhe qartësisë, sikurse dhe e fatit kanë ndalur korçarët në këtë fraksion të parë loje përballë portës së skuadrës nga Andorra. Për tu veçuar ishte rasti flagrant i ekipit të Skënderbeut në minutën e 38’ kur Vujovic, me një gjuajtje topi ka goditur të dy shtyllat, për të përshkruar kështu të gjithë distancën mes tyre mbi vijën fatale, por pa e kaluar atë, me fatin që i ka mohuar bardhekuqëve një gol të sigurtë.

Pjesa e dytë

E njëjta panoramë ka mbizotëruar edhe në fraksionin e dytë të lojës. Skënderbeu ka të gjitha shanset për të kaluar në avantazh në minutën e 53’, kur pas një prekje të topit me dorë në zonën e Sant Julia, arbitri ka akorduar një 11-metërsh në favor të korçarëve, por Latifi ka gabuar nga pika e bardhë e penalltisë, duke i dhënë mundësinë portierit kundërshtar që të ndalë topin. Gjithsesi është po vetë ai, Latifi, që në minutën e 69’ ka korigjuar gabimin, teksa ka kaluar Skënderbeun në avantazh falë një eurogoli të realizuar nga distance. Vetëm një minutë më vonë bardhkuqtë godasin sërish shtyllën madje duke dërguar edhe topin në rrjetë, por goli anullohet për pozicion jashtë loje.

Maccabi Tel Aviv – Tirana 2-0

Shënues: Cohen 27’, Dasa 64’

Pjesa e parë

Asnjë surprizë në Izrael, teksa Maccabi Tel Aviv nuk e pati aspak të vështirë të dominojë takimin ndaj bardhebluve të Tiranës. Vendasit kaluan në avantazh që në minutën e 27’ falë golit të Cohen që i favorizuar edhe nga dalja e tepruar e portierit Lika, nuk e pati aspak të vështirë që me një goditje nga jashtë zone, të dërgojë topin në rrjetë. Të pafuqishme ishin ato pak tentativa të realizuara nga bardheblutë, që për më tepër nuk arrijnë dot të finalizojnë në momentet e fundit.

Pjesa e dytë

Me të njëjtën lehtësi izraelitët kanë shënuar edhe në fraksionin e dytë të lojës duke dyfishuar epërsinë e tyre ndaj Tiranës. Pikërisht në minutën e 64’ një aksion i rrjedhshëm i Maccabi Tel Aviv është finalizuar në mënyrë perfekte nga Dasa, i cili tërësisht i lirë ka dëpërtuar në zonë nga e djathta, për të dërguar topin në rrjetë.

Më shumë nga Europa League