Futboll

Skënderbeu-Kukësi rikthehet nën sytë e… Jorgjit! FSHF fshin të shkuarën…

E shtunë, 20 maj 2017… Stina e verës sapo ka hyrë dhe në “Zeqir Ymeri” të Kukësit luhet supersfida e kampionatit shqiptar për edicionin 2016-2017, mes verilindorëve dhe SKënderbeut. Drejton Enea Jorgji, por askujt nuk i interesonte arbitri, deri përpara se në fushë të ndodhnin shumë episode që do të kompromentonin garën.

Kukësi dhe Skënderbeu ishin në garë për titullin kampion. Një fitore i jepte matematikisht titullin të zotëve të shtëpisë, ndërsa ishte java e parafundit e Superligës. Atë pasdite, do të ndodhte gjithçka në fushë. Nisi me fair play, degradoi në ofendime. Imazhe që sot mund të rikthehen në kujtesë: Hamdi Salihi që humbi toruan dhe grisi kartonin në sytë e arbitrit, një penallti sa një shtëpi që iu mohua ekipit korçar kur sfida ishte ende 1-0 për Kukësin, Pejiç me dy gola që i dorëzoi titullin e parë historik verilindorëve dhe dy kartonë të kuq për Skënderbeun (Mici 11′ dhe Osmani 58′).

Në fund, arbitri Jorgji që përfundoi në kronikën e zezë të sportit dhe si ai që “vrau” fair play. Do të kthehej vonë atë natë në shtëpi arbitri nga Elbasani, aq sa sipas asaj që u tha, i vinte turp të fliste me familjarët dhe vetëm qante nga katrahura që kishte katandisur në “Zeqir Ymeri”. Sigurisht, ai Kukës ishte shumë i fortë, ashtu si edhe Skënderbeu, ndaj mbase do ta kishte fituar titullin duke u mjaftuar me një barazim në Gjirokastër, javën e fundit, por ajo ndeshje i vuri kapakun…

U thanë shumë gjëra pas asaj ndeshje. Jorgji që nuk do të arbitronte më në Shqipëri, do t’i hiqej stema ndërkombëtare e kështu me radhë. Por, xhaketa e zezë nga Elbasani vazhdon të jetë arbitri i Superligës, të përzgjidhet edhe për të gjykuar jashtë.

Një “krim” i lënë në harresë, teksa jo në vendin ku e kreu, por mes atyre që ishin protagonistë, Enea Jorgji sot do të jetë në Korçë. Në stadiumin “Skënderbeu”, këtë herë jo duke gjykuar sfidën, pasi ajo është në kompetencat e Kridens Metës, por pas porte. Shumë gjëra do të kalojnë nën sytë e atij, që minimalja që federata duhet të bënte ishte ta izolonte nga ky duel.

Por,duke qenë në Shqipëri, shpesh ata që bëjnë krime janë ata që shpërblehen… Fundja, lotët e Jorgjit kanë 1 vit që janë tharë. Jeta vazhdon, edhe sot në Korçë.

Më shumë nga Futboll