• Skënderbeu “lë thatë” Partizanin, afron Oto Xhon

    Publikuar: 6 Jan 10:41

    Pas zyrtarizimit të trajneri Ilir Daja, tani drejtuesit e Skënderbeut janë fokusuar tërësisht te merkato e janarit. Si fillim kampionët kanë afruar në skuadër futbollistët që në pjesën e parë të sezonit ishin të huazuar, kështu me bardhekuqtë është bashkuar Sebino Plaku, Bruno Lulaj dhe Oto Xhon. Edhe pse Korabi ka reaguar nëpërmjet një deklarate zyrtare ku shkruhet se sulmuesi është nën kontratë me ta, agjenti i lojtarit bën të ditur se kontrata e firmosur i jep të drejt 31-vjeçarit ta prish në janar nëse dëshrion të kthehet në Korçë.

    Gjithashtu me skuadrën është bashkuar edhe mbrojtësi Bruno Lulaj që në pjesën e parë të kampionatit ishte i huazuar te Laçi. Pas problemeve në dy fazat e para në repartin e mbrojtes drejtuesit kanë vendosur të afrojnë në skuadër 21-vjeçarin e talentuar. Afrimi më i bujshëm deri tani është ai i sulmuesit Oto Xhon. Afrikani ishte i huazuar në Superligën e Kosovës te Trepça 89 në pjesën e parë të kampionatit. Performanca e tij ishte e shkëlqyer, me 11 gola të realizuar ai qëndron në krye të listës së golashënuesve. Me afrimin e tij, Skënderbeu “lë thatë” drejtuesit e Partizanit që pak ditë më parë deklaruan se përforcimi i radhës do të ishte Xhon.

    Por përveç afrimeve nga bardhekuqtë pritet të ketë edhe largimi. I pari që është me valixhe në dorë është sulmuesi Serxhio, që pritet të pasohet nga japonezi Fukui dhe Ardit Hoxhaj. Gjithashtu edhe nigeriani James Adeniyi është lidhur me një kalim të mundshëm në Korenë e Jugut. Sipas burimeve pranë klubit korçar sulmuesi do të transferohet në Kore për më shumë se 300 mijë euro. Një shifër e kënaqshme që do të mbushë jo vetëm arkat e kampionëve por edhe të Laçit, pasi kurbinasit kishin një pjesë të kartonit të tij.


    Lexo postimet e tjera