Futboll

“Skënderbeu leksion klubit të Tiranës, kontribut financiar për kurimin e legjendës bardheblu”

Njëlloj si në rezultate, ecuri e arritje, kombëtare e ndërkombëtare, në këto gjashtë sezone të fundit, klubi i Skënderbeut i ka dhënë atij bardheblu një tjetër leksion falas. Pikërisht në vigjilje të përballjes mes kampionëve në fuqi dhe Tiranës, në ndeshjen e vlefshme për javën e 34-t të kampionatit, klubi korçar ka njoftuar sensibilizimin e tij, me çështjen aq të ndjeshme dhe delikate të një legjende të skuadrës bardheblu, gjithashtu figurë e njohur e ekipit përfaqësues të Shqipërisë, Artur Lekbello. Në reagim të lajmit që ka bërë bujë ditët e fundit mbi shëndetin e lig që ka izoluar ish-futbollistin e Tiranës, Shqipërisë dhe Aris Selanik, Artur Lekbello, dhe në vijim të iniciativës së tifogrupit bardheblu, “Tirona Fanatics” në bashkëpunim me Klubin e Basketbollit Tirana, edhe drejtuesit më të lartë të klubit të Skënderbeut kanë vendosur të sensibilizohen jo vetëm mediatikisht, por faktikisht. Sikurse njofton vetë klubi korçar, është vendosur që 50% e të ardhurave që do të grumbullohen nga shitja e biletave për ndeshjen Skënderbeu-Tirana të shkojnë për kurimin e Lekbellos.


“Të ardhurat e biletave për Artur Lekbellon! Bordi drejtues i klubit, me në krye presidentin Takaj, pasi janë njohur me gjëndjen e rëndë shëndetësore të Artur Lekbello, ish-lojtar i kombëtares Shqiptare, Tiranës dhe Arisit, kanë vendosur që 50% e të ardhurave nga shitja e biletave të ndeshjes, Skënderbeu-Tirana, që do të zhvillohet nesër, të shkojnë për kurimin e Arturit. Klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ fton të gjithë faktorët sportiv në vënd të sensibilizohen me Arturin. Ne nuk mund të ndihmojmë të gjithë, por të gjithë mund të ndihmojmë një!”, citon njoftimi i publikuar në faqen zyrtare të klubit të Skënderbeut, në prag të përballjes me Tiranën.

Më shumë nga Futboll