Futboll

OPINION/Skënderbeu… meriton një dekoratë “Gjergj Kastrioti”

Marshon i vetëm në rrugën drejt titullit kampion, ka bërë gjithçka mirë në Europa League, Kampionat dhe Kupë. Kaloi katër ture radhazi në Kupat e Europës, duke eleminuar edhe Dinamon e Zagrebit, fidanishten e talenteve të futbollit Europian. Ka luajtur shkëlqyer deri tani në grupet e UEFA Europa League ndonëse mund të merrte dhe më shumë.

Gjithësesi qershia mbi tortë është ecuria në kampionat. 8 fitore dhe 1 barazim në nëntë javë të Superligës janë një dëshmi e qartë se Skënderbeu i Korçës është sot për sot klubi më i mirë shqiptar.

Dominon futbollin vendas në çdo drejtim, financa, rezultate, menaxhim, trofe, pjesëmarrje ndërkombëtare e padyshim në lojë, fair-play apo vision. I qëndrueshëm në çdo aspekt, demokraci në marrjen e vendimeve, liri në zbatimin e tyre nga personat përgjegjës me profesionalizëm dhe përkushtim…

Le të flasim konkretisht për ekipin, që duam apo s`duam ne, sot po dikton një filozofi dhe model ndryshe, shumë larg atij që jemi mësuar të shohim në kampionatin tonë dhe shumë i ngjashëm me atë model, që futbollin tonë e bën me plot kuptimin e fjalës, Konkurues!

Skënderbeu merr pjesë për herë të dytë në fazën në grupe të UEFA Europa League, duke shkruar historinë si i pari klub shqiptar që arrin në këto nivele të futbollit europian.

Pjesëmarrja në këtë kompeticion nuk ka qenë rastësi, pasi ky ekip prej gati një dekade ka një investim serioz financiar, që ka prodhuar rezultate të shkëlqyera, frutet e të cilave po korren tashmë nga drejtuesit e klubit, që mbushin arkën me miliona euro që vijnë nga pjesëmarrja në grupet e Europa League.

Skënderbeu është shndërruar në klubin ku çdo talent shqiptar do donte të luante, sepse prej këtu mud t`i hapen shumë dyer. Futbolli që luan Skënderbeu është krejtësisht ndryshe nga ai i ekipeve të tjera, i shpejtë, i bukur, aksione të nisura nga mbrojtja dhe shkojnë deri në majën e sulmit me siguri të plotë.

Filozofi loje e qartë në fushë, mentalitet fituesi, qarkullim topi dhe volum loje në mesfushë, ekip që sulmon dhe nuk “ngujohet” në mbrojtje, shpejtësi reagimi në rikuperimin e topave dhe kthim mbrapa sa herë që duhet.

Ky ekip funksionon në gjithçka por mbi të gjitha funksionon në hallkat kryesore të tij. Marrëdhënia president-trajner-futbollist, është brenda limiteve. Kjo marrëdhënie funksionon edhe për një arsye tjetër, që ndoshta mund të jetë vendimtare në shumë raste.

Ekipi ka pranuar dhe humbjet dhe fitoret si pjesë të lojës, kurrë nuk janë dhënë vendime e penalizime drastike për trajnerin apo lojtarët, me gjoba e përjashtime të tjera, sikundër ka ndodhur dhe ndodh në ekipe të tjera të Superligës.

Kjo marrëdhënie është e ndikuar dhe nga fakti që klubi ka të ardhura të qëndrueshme dhe lojtarët ndoshta nuk mendojnë kurrë se mund të mbeten pa rroga apo penalizime të kësaj natyre.

Ekipi është i motivuar dhe në çdo kohë e tregon këtë. Dëshpërimi nuk ka vend në një ekip që kërkon trofe, që rivalizon në Europë dhe që synon të ketë të ardhme të ndritur si të barabartë me homologët, të paktën në Ballkan.

Ndaj sot ky Skënderbe është për trofe, për dekoratën më të lartë që jepet nga Presidenti i Republikës, sepse është shëndërruar në shkollë për futbollin shqiptar. Ekipet e tjera duhet të mësojnë me laps e letër në dorë, të mbajnë shënim se si arrihet objektivat kur hallkat lidhen si duhet e funksionojnë sipas asaj që përfaqësojnë.

Nuk është perfekt e padyshim ka vend për shumë kritika, por sot le ti gëzohemi faktit që ky ekip është një model për tu ndjekur. Mirë apo keq, perfektja nuk ekziston, dhe këtë mos e prisni tek Skënderbeu, por le të shpresojmë se ky model të ketë pasues të tjerë në futbollin shqiptar, për të rikthyer tifozët në tribuna e pse jo për të rivalizuar denjësisht në Europë.

As Skënderbeu (Heroi ynë kombëtar) nuk ishte perfekt, por ai la pas modelin dhe jehonën, që sot e kësaj dite e respekton një komb e pse jo një Europë e tërë.

Ndaj dhe ky Skënderbe (ekip i futbollit) nuk është perfekt, por ama po krijon jehonën, modelin, po hedh themelet e një rruge të re nga ku duhet të kalojmë për të qenë elitar edhe në futboll… Ndaj ky Skënderbe meriton një dekoratë “Gjergj Kastrioti”, jo për trofe, por mirënjohje!

Më shumë nga Futboll