Futboll

Skënderbeu ndal turqit, Kukësi dorëzohet që në fillim

Sikurse ishte planifikuar, janë luajtur sot dy miqësoret e dy ekipeve shqiptare në Antalya të Turqisë, gjatë kësaj faze përgatitore dimërore. Dy teste këto që realisht nuk i përgjigjen pozitave që dy ekipet, ndër liderët e Superligës shqiptare, mbajnë në klasifikimin e kampionatit. Kështu, ekipi kampion i dimrit, Kukësi është mundur me rezultatin 1-3 nga Instambul Basaksehir, ndërsa Skënderbeu kampion në fuqi por ndjekës i Kukësit dhe Partizanit ka barazuar me rezultatin 0-0 ndaj Bursaspor.

Në përballjen me ish-sulmuesin e tyre, Sokol Cikalleshi, verilindorët e Shqipërisë kanë dështuar që në fillim, pasi kanë pësuar dy gola brenda vetëm 20 minutave të para të takimit. Kështu, Kukësi e pa veten në disavantazh që në minutën e 12’, kur Ifran Kan kaloi në epërsi skuadrën e Instambul Basaksehir, ku aktivizohet sulmuesi i kombëtares së Shqipërisë, Cikalleshi. Epërsi e dyfishuar në të 19’ nga Holmen. Golin e nderit për Kukësin e shënoi bomberi Pero Pejiç, në të 26’, duke krijuar iluzionin e rihapjes së takimit, por vetëm provizorisht, pasi në të 86’ turqit kanë shënuar golin e tretë, duke sigluar kështu edhe rezultaitn final në shifrat 1-3. Trajneri Ernest Gjoka preferoi ta nisë lojën me formacionin: Koliçi; Hallaçi, Shameti, Pashaj, Rrumbullaku; Dvornekoviç, Lena, Musolli, Greca; Guri; Pejiç.

Sikurse është cilësuar nga vetë zyrtarët e klubit korçar, në njoftimin e publikuar në “Facebook”, kjo ndeshje e parë miqsore, e mbyllur në barazim rezultoi mjaft pozitive për ekipin korçar, veçanërisht në fraksionin e dytë të lojës, gjatë të cilit nuk munguan rastet për shënim nga ana e bardhekuqve shqiptarë, paçka se pa sukses në finalizim. Një rezultat ky pozitiv, veçanërisht për trajnerin Ilir Daja që e nis me këmbën e mbarë aventurën e tij te Skënderbeu. Tekniku Daja e nisi me formacionin: Shehi; Vangjeli, Jashanica, Osmani, Mici; Orelesi, Nimaga, Lilaj; Latifi, Gavazaj, Plaku.

 

Më shumë nga Futboll