Futboll

Skënderbeu në 3 raste jo kampion dimri, por në fund i pari…

Vërtet Skënderbeu nuk arriti të jetë i pari në renditje në fund të vitit 2016, madje diferenca nga vendi i parë, që mbahet nga Kukësi, shkoi në 4 pikë. Megjithatë, po t’u referohemi statistikave të 6 sezoneve të fundit kur Skënderbeu është shpallur kampion, tifozët dhe drejtuesit korçarë duhet ta marrin me qetësi, sepse ekipi bardhekuq ka qenë edhe më keq në renditje, madje 7 pikë larg Flamurtarit dhe në fund ka arritur të përmbysë gjithçka dhe madje të shpallet kampion 7 pikë para ekipit vlonjat, që u rendit i dyti.

partizani-skenderbeu-0-0

Nga ndeshja Partizani-Skënderbeu, 0-0

Pra, në sezonin 2010-2011, Flamurtari ishte superior në pjesën e parë të kampionatit, duke mbajtur poshtë vetes pikërisht Skënderbeun dhe i shkëputur, por më pas korçarët jo vetëm që e arritën ekipin vlonjat, por e lanë larg me një diferencë të madhe pikësh. Në sezonin 2011-2012, ishte Teuta që u shpall kampione dimri, madje Skënderbeu nuk gjendej as në vend të dytë, por në tretin. Në vend të dytë ishte Tirana. E njëjta situatë pak a shumë si këtë sezon. Në fund Skënderbeu u shpall kampion, me 1 pikë sipër Teutës.

skenderbeu

Skënderbeu gjatë një seance stërvitore

Sezoni 2012-2013 ka qenë më i miri në historinë e Skënderbeut, kur edhe kampionati u bë sërish me 10 skuadra. Korçarët udhëhoqën nga fillimi deri në fund garën, duke u shpallur kampion shumë javë para. Në sezonin 2013-2014, Skënderbeu sërish dominon, por jo shumë i shkëputur. Ndërsa sezoni 2014-2015 ka qenë më i vështiri, ku Skënderbeu ka marrë kryesimin vetëm në javën e 26-të, për ta mbajtur atë deri në fund, kur në garë ishin edhe Kukësi me Tiranën.

Sezoni i fundit, 2015-2016, që është edhe më i freskëti, pra një vit më parë, ishte Skënderbeu që u shpall kampion dimri, por vetëm me një pikë para Partizanit dhe vetëm në javën e fundit ekipi korçar siguroi titullin e gjashtë radhazi. Pra, siç shikohet, vërtet Skënderbeu ka pasur oshilacionet e veta, por mesatarja e pikëve është gjithnjë më e lartë në pjesën e dytë të sezonit sesa në të parën, kështu që drejtuesit e klubit juglindor prandaj po bëjnë lëvizjet e duhura, në mënyrë që edhe këtë vit të fitojnë kampionatin, që do të ishte i shtati radhazi, si asnjë ekip tjetër në historinë e futbollit shqiptar.

Më shumë nga Futboll