Kampionati Shqiptar

Skënderbeu përmbys Lushnjen, Partizani ndalet në Gjirokastër

Skënderbeu është kthyer te fitorja në javën e 33-të të kampionatit pasi kishte humbur dy ndeshjet e fundit të luajtura kundër Kukësit dhe Laçi-t.

Kryesuesit e Kategorisë Superiore kanë marrë një fitore të rëndësishme dhe të vuajtur në fusni e Lushnjes, që mban vendin e fundit në renditje dhe që ka siguruar prej kohësh rënien nga kategoria.

Gjithesi, kanë qenë vendasit që kanë kaluar në avantazh me Pergjinin në minutën e 39-të të pjesës së parë dhe kanë dyfishuar avantazhin në të 51-ën. Tetë minuta më pas ka ardhur reagimi i korçarëve, të cilët kanë ngushtuar diferencën me Sowe.

Barazimi dhe përmbysja kanë ardhur në minutat 69 dhe 82, teksa autori i golave ka qenë përsëri Sowe. Pesë minuta para fundit të ndeshjes ka ardhur edhe goli i katërt për Skënderebun, i shënuar nga James. Falë kësaj fitoreje, bardhekuqtë kanë shkuar në kuotën e 72 pikëve në renditje, 11 më shumë se Kukësi i vendit të dytë, që do të luajë në orën 19:00 në fushën e Teutës.

Ndërkohë, vazhdon problemet për Partizanin, që ka shpërdoruar një avantazh prej dy golash në fushën e Luftëtarit, me këta të fundit që kanë arritur të barazojnë 2-2 dhe të marrin një pikë shumë të rëndësishme për vendin e tretë.

Gjirokastritët, në fakt, kanë 52 pikë në renditje, pesë më shumë se Partizani i vendit të katërt kur kanë mbetur edhe tri javë nga fundi i kampionatit. Asani (26’) dhe Gojkovic (30’) i kanë dhuruar miqve avantazhin e dyfishtë në pjesën e parë, por Luftëtari është kundërpërgjigjur në të dytën me Abazaj (52’) dhe Rapo (70’).

Në orën 16:00 është luajtur edhe takimi Flamurtari-Laçi, i mbyllur në barazim pa gola.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar