Kampionatet në Europë

Skënderbeu shembulli perfekt, Takaj paralajmëroi rivalët me deklaratën e tij

Stoli im vlen më shumë se ekipet e tjera“, – deklaronte presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, në fund të sezonit të kaluar kur korçarët koleksionuan titullin e 8-të kampion. Disa qeshën, disa “e falën” ngaqë ishte në delirin e fitimit të titullit dhe kishte akoma shpresë se dënimi nga UEFA do të ulej. Askush nuk e mori shumë seriozisht, pasi kampionët e Shqipërisë mbaheshin nga “yjet” me eksperiencë të skuadrës.

Duhej të vinte java e 8-të e sezonit të ri të Superiores që të na kujtoheshin fjalët e presidentit Ardjan Takaj. Skënderbeu ndodhet në vallen e ekipeve kryesuese me 5 fitore, 2 barazimi dhe 1 humbje. Trajneri Orges Shehi ka një golavarazh shumë të kënaqshëm +7. 11 gola të shënuar dhe vetëm 4 të pësuar. Formacioni i kampionëve mbahet nga rezervat e sezonit të kaluar, disa lojtarë të kthyer nga huazimet dhe 3-4 lojtarë me eksperiencë që ndërthurin si duhet grupin. Forca e ekipit nuk është e njëjtë, këtë e di dhe Takaj, por Skënderbeu është aty, duke thënë fjalën e tij.

Fitore me Partizani, fitore me Kukësin, dy pretendentët që konsiderohen më të ashpër në luftën për titull. Brenda apo jashtë fushe nuk ka rëndësi, pasi skuadra e tij tregon se është e denjë për petkun e kampionit. Fjala e Takajt doli, presidenti kishte të drejtë, organizimi i klubit nga ana e Skënderbeut është perfekt. Skuadra korçare kishte ndërtuar struktura shumë të mira, pasi huazonte lojtarë, merrte pjesë në kompeticionet europiane dhe shiste futbollistë. Sa keq, kur njeriu nuk ngopet me “pak”…

Më shumë nga Kampionatet në Europë