Futboll

Skënderbeut i mjafton një gol ndaj Vllaznisë, dëmtohet Salihi

Skënderbeut sërish i mjafton një gol për të marrë tri pikët. Ashtu si kundër Kukësit në javën e dytë, teksa fitoi 1-0, edhe kundër Vllaznisë, që ishte ndeshja e prapambetur e javës së parë, korçarët fitojnë me të njëjtin rezultat. Kësaj here ishte mbrojtësi Arapi ai që ndëshkoi shkodranët me një gjuajtje të fortë, teksa befasoi portierin malazez të Vllaznisë. Gjashtë pikë në dy ndeshje janë një nisje shumë e mirë e Skënderbeut, aq më tepër që ka dominuar totalisht ndaj Vllaznisë. Një takim i luajtur në Pukë, për shkak se stadiumi “Loro Boriçi” po rikonstrukturohet. Por ka edhe një lajm të keq për korçarët, teksa Salihi është dëmtuar dhe nuk dihet nëse do të jetë gati për sfidat e radhës, të paktën për të enjten e ardhshme kundër Beshiktashit. Në fundjavë Skënderbeu do të luajë sërish në Pukë, kësaj radhe ndaj Tërbunit vendës. Ndërsa Vllaznia pret Partizanin, fusha mbetet enigmë.

vllaznia 2

Nga ndeshja Vllaznia-Skënderbeu, 0-1

Pjesa e parë – Që në minutat e para Skënderbeu merr frenat e lojës, duke qarkulluar dendur topin dhe vënë menjëherë në presion shkodranët, të cilët detyrohen të mbrohen me forca të shumta. Pas një tentative të Olainkës, në minutën e 15-të vjen edhe goli i parë për korçarët, kur Arapi me një gjuajtje potente në kufijtë e zonës shkodrane, shtang portierin malazez, që edhe pse është në pozicion, i shpëton topi nga duart dhe përfundon në rrjetë. Por 3 minuta më vonë dëmtohet Salihi, që detyrohet të lërë fushën e lojës. Pas një depërtimi të tij në zonë, shmang edhe portierin, por nga tejzgjatja, pëson një tërheqje në kofshën e djathtë dhe zëvendësohet nga Hristov. Dominim total i kampionëve, të cilët realizojnë edhe disa goditje këndi rresht. Shkodranët zbresin vetëm njëherë në fundin e këtij fraksioni, por Shehi është i vëmendshëm.

vllaznia 4

Tifozët shkodranë në stadiumin e Pukës (Fotot: Gjon Gjeka)

Pjesa e dytë – E njëjta histori si në pjesën e parë, janë korçarët që ndërtojnë aksione njëri pas tjetrit. Berisha dhe Progni janë protagonistët e 3 aksioneve të bukura, por nuk shënojnë. Pas një goditje këndi provon edhe Olainka, por afrikani ka qenë i pafat. Në të 68-ën Nimaga do të humbte një tjetër rast të pastër për Skënderbeun. Në krahun tjetër, Vllaznia nuk arrin të ndërtojë qoftë edhe një aksion për t’iu afruar portës së Shehit, që më shumë ka qenë spektator në këtë ndeshje. Pas minutës ritmi i lojës bie ndjeshëm, ndërsa shkodranët më në fund arrijnë të krosojnë njëherë në zonë, por nuk ka rrezik.Skënderbeu kontrollon mirë ndeshjen në fund, duke mos lejuar ndonjë surprizë. Mbyllet 0-1 për korçarët, duke marrë 3 pikët edhe në këtë ndeshje.

 

KATEGORIA SUPERIORE, JAVA 1

 

Vllaznia – Skënderbeu 0-1

Shënues: Arapi 15′

 

Vllaznia: Dragojeviç, Arbri, Hakaj, Cicmili, Marku, Krymi (Kapaklija 72’), Haxhibuliç, Bardulla (Muhamed 78’), Shtubina, Ahmeti (Dyca 57′), Çinari.

Trajner: Luan Zmijani

 

Skënderbeu: Shehi, Ademir, Jashanica, Arapi, Abazi, Progni (Esquerdinha 86’), Lilaj, Nimaga (Shkëmbi 69’), Berisha, Salihi (Hristov 18′), Olainka.

Trajner: Mirel Josa

 

Karton i verdhë: Arbri 13′, Haxhaj 23′, Krymi 37′

Gjyqtarë: A. Beqiri, R. Çokaj, E. Pashaj (Tiranë)

 

RENDITJA

 

# SKUADRAT N F B H GSH GP PIKE
1 Skënderbeu Korçë 2 2 0 0 2 0 6
2 Teuta Durrës 2 2 0 0 3 0 6
3 Partizani Tirana 2 1 1 0 3 2 4
4 Tirana 2 1 1 0 3 2 4
5 Tërbuni Pukë 2 1 0 1 3 2 3
6 Kukësi 2 1 0 1 2 1 3
7 Laçi 2 0 2 0 2 2 2
8 Flamurtari Vlorë 2 0 0 2 1 3 0
9 Vllaznia Shkodër 2 0 0 2 0 3 0
10 Bylis Ballsh 2 0 0 2 0 4 0

Më shumë nga Futboll