Merkato

Skriniar i thotë “jo” rinovimit, Inter vendos çmimin dhe gjen zëvendësuesin

Shtohen dyshimet në lidhje me të ardhmen e Milan Skriniar tek Inter. Në fakt, ka ardhur një frenim në negociatat për rinovimin e kontratës të ish-lojtarit të Sampdoria-s, i cili është lidhur me zikaltrit deri në 2022-in, teksa rroga e tij do të jetë përafërsisht 2 milionë euro vitin e ardhshëm.

Sllovaku mësohet të ketë refuzuar një ofertë prej 2,5 milionë eurosh në sezon nga klubi milanez, duke kërkuar 3 milionë. Palët do të takohen në javët e ardhshme, por është e pashmangshme që kjo ndalesë e negociatave të rihapë disa skenarë të rinj për mbrojtësin.

Dy të mëdhatë e Spanjës, Real dhe Barcelona, përveç Manchester United, do të ishin gati të hidheshin në sulm për Skriniar dhe të paraqisnin në zyrat e zikaltërve një ofert të përafërt me 70 milionë euro.

Nëse kjo ndodh, Inter duhet të vihet në lëvizje për të gjetur një zëvendësues në lartësinë e duhur. Ausilio, në këtë mënyrë, mund të kontaktojë Torino-n për Nkolou, por nuk mund të përjashtohet edhe një duel me Juventus për talentin e Fiorentina-s, Milenkovic.

Ndër të tjera, duhet marrë në konsideratë edhe mundësia e blerjes së Alderweireld, kontrata e të cilit me Tottenham skadon qershorin e ardhshëm. Në fund, Spalletti pëlqen shumë të talentuarin Bastoni, i huazuar te Parma për të luajtur me vazhdimësi.

Më shumë nga Merkato