Atletikë

Smajlaj merr mbështetjen e parë nga Bashkia, shpërblim për medaljen

Kampioni i Europës në atletikë Izmir Smajlaj është pritur mesditën e sotme nga kryetarja e Bashkisë Shkodër, zj.Voltana Ademi. Atleti shkodran ka qenë i shoqëruar nga babai i tij dhe nga trajneri Vildan Tufi. Mes tyre është zhvilluar një bisedë e ngrohtë teksa Smajlaj ka bërë prezent edhe njëherë emocionet që ka provuar pak ditë më parë në garat e zhvilluara në Beograd. Ndërsa trajneri Tufi ka kërkuar më shumë mbështetje nga të gjitha institucionet, sepse ky sportist mund të dhurojë të tjera rezultate të larta. Nga ana e saj, kryebashkiakja Ademi përveçse e ka uruar Smajlajn për suksesin e arritur, ka bërë të ditur edhe një propozim që do t’ia kalojë Këshillit Bashkiak për shpërblimin e këtij sportisti dhe, po ashtu, ka ofruar mbështetje edhe për pjesëmarrjen e tij në aktivitetet e tjera ndërkombëtare.

Shkodra dhe e gjithë Shqipëria krenohen me këtë sportist, me këtë rezultat që arriti në Beograd, por Izmiri kërkon më shumë vëmendje dhe mbështetje. Prandaj, institucioni që unë drejtoj, do ta bëjë këtë gjë. Si hap i parë do të jetë propozimi për t’i dhënë një shpërblim për arritjen e fundit. Së dyti, Izmiri duhet mbështetur edhe në vazhdim, sepse ka të tjera gara dhe aktivitete ku do të marrë pjesë dhe për këtë arsye, duke patur mbështetjen edhe të bizneseve, besoj se do t’i gjendemi pranë në mënyrë që sukseset e tij të mos ndalen këtu por të vazhdojnë sërish“, ka thënë ajo. Smajlaj ka deklaruar se këto medalje i shkojnë Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë dhe ka premtuar rezultate të larta edhe në të ardhmen.

Atleti shkodran Izmir Smajlaj gjate nje gare

Jam akoma i emocionuar. Ka qenë një sukses i madh jo vetëm për mua personalisht. Unë e falenderoj kryetaren e Bashkisë për pritjen dhe mbështetjen, por dua të them se nëse këto institucione presin rezultate të larta, duhet t’u qëndrojnë pranë sportistëve cilësorë. Për momentin i kam arritur dy objektivat që kisha, tashmë vëmendja është e përqendruar te kampionati botëror që do të zhvillohet në muajin gusht në Londër“, tha Smajlaj. Edhe trajneri Vildan Tufi është shfaqur krenar për këtë sukses dhe në prononcimin e tij, ka bërë të ditur se titulli Kampion Europe i arritur nga Izmiri në Beograd, është qershia mbi tortë e punës shumëvjeçare të bërë.

Më shumë nga Atletikë