• Sot shorti, mësohen çerekfinalet e Champions-it…

    Publikuar: 17 Mar 9:00

    Sot, në orën 12:00, në Nyon të Zvicrës hidhet shorti për çerekfinalet e Ligës së Kampioneve. Ky short është i lirë. Skuadrat që dalin të parat nga goglat do ta luajnë ndeshjen e parë të këtij raundi në shtëpi, më 11 ose 12 prill, të martën ose të mërkurën. Sfidat e kthimit janë planifikuar për më 18 dhe 19 prill. Finalja e Champions-it për këtë edicion, sikurse dihet, do të zhvillohet në Cardiff, të shtunën e 3 qershorit, në stadium kombëtar të Uellsit.

    Bie në sy përfaqësimi me tri skuadra i Spanjës: Real Madrid, Barcelona dhe Atletico Madrid. Garën për trofeun më të rëndësishëm për klube në Europë e vazhdojnë edhe skuadra të tjera, si ​​Bayern Munich, Juventus, Borussia Dortmund, Monako dhe Leicester. Më poshtë ju njohim me tetë skuadrat, që vijojnë betejën e ethshme për të fituar trofeun më të rëndësishëm europian për klubet.

    Real Madrid
    Kampioni që synon të mbrojë kurorën në Champions. “Los Blancos” udhëheqin La Liga me dy pikë mbi Barcelonën, që mund të jenë edhe pesë pikë, sepse kanë një ndeshje “në dorë”, të prapambetur, pa luajtur. Në çerekfinale të Champions-it vjen nga grupi i dytë, ndërsa në raundin e fundit në radhë, me eliminim direkt, likujdoi Napolin. Real Madridi vjen nga fitimi i Superkupës Europiane dhe i Botërorit për Klube. Celta e ka eliminuar atë në çerekfinale të Kupës së Mbretit. Objektivi madhor është për të arritur atë që askush nuk e ka bërë: dy Champions radhazi.

    Barcelona
    Me gjithë luhatjet në këtë edicion, skuadra katalanase fitoi Superkupën e Spanjës ndaj Sevilla dhe ende mund të ketë sukses të trefishtë. Ajo është e dyta në kampionatin spanjoll. Çerekfinalet e Champions-it i ka arritur si kryesuese në fazën e grupeve dhe pas përmbysjes historike të disavantazhit 4-0 me PSG-në, në “Parc des Princes”. Fitorja 6-1 në “Camp Nou” do të mbetet përgjithmonë në librat e historisë. Përveç kësaj, Barcelona do të luajë finalen e Kupës së Mbretit, më 27 maj, kundër Alavés.

    Atletico Madrid
    Finalistët e Champions-it të fundit nuk kanë shkëlqyer në këtë kampionat. Në La Liga mban vendin e katërt aktualisht, çka mund t’i kushtëzojë pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve. Fazën e grupeve të Champions-it, këtë edicion, “robijancos” e mbyllën në krye, përpara Bayern Munich dhe Leverkusen. Nga Kupa e Mbretit, skuadra e Diego Simeones u eliminua në gjysmëfinale nga Barcelona.

    Bayern Munich
    Skuadra e Ancelottit duket se e ka fituar betejën në Bundesligë, ku ndodhet dhjetë pikë përpara ndjekësit më të afërt, Leipzig. Bavarezët e kanë nisur sezonin me fitimin e Superkupës së Gjermanisë. Në çerekfinale të Ligës së Kampioneve vjen pas dy humbjeve të rënda, që i shkatoi Arsenalit. Do të luajë gjysmëfinalen e Kupës së Gjermanisë kundër Borussia Dortmund, kështu që mund të arrijë “tripletën” këtë sezon.

    Borussia Dortmund
    Në Bundesligë mbetet ende nën hijen e Bayern Munich, 16 pikë mbas bavarezëve. Në Ligën e Kampionëve vjen si kryesuese e grupit të vet, ndërsa në fazën e fundit në radhë, atë me eliminim direkt, likujdoi Benfica. Ka humbur Superkupën e Gjermanisë në fillim të sezonit, kundër Bayern Munich, por ende mund ta fitojë Kupën e Gjermanisë, teksa do të jetë pjesë e përplasjes së 25 prillit, në gjysmëfinale.

    Juventusi
    Një tjetër skuadër, që ende lufton pët sukses të trefishtë në këtë edicion. Bardhezinjtë e Allegrit janë liderë solidë në Seria A (tetë pikë para Romës), ndërkohë që e mbyllën të parët fazën e grupeve të Championsit, para se të lukujdonin së fundi Porton. Në dhjetor, Juventusi humbi Superkupën Italiane kundër Milanit, me penallti. Po ashtu, ka shanse të mëdha për të qenë në finalen e Kupës së Italisë. Në ndeshjen e parë gjysmëfinale, torinezët fituan 3-1 ndaj Napolit.

    Monako
    Sezoni i saj është spektakolar. Dhe jo vetëm për përmbysjen e fundit kundër Manchester City. Në Francë kryeson kampionatin, përpara PSG-së. Në Champions ka arritur në çerekfinale, pasi eliminoi “qytetarët” e Pep Guardiolës. Monako është kualifikuar edhe në finalen e Kupës së Kampionëve, kundër PSG-së (1 prill) dhe për të luajtur ¼ e Kupës së Francës, kundër Lille (5 prill).

    Leicester City
    Kampioni aktual i Premier League, edhe pa Ranierin, është duke bërë ende histori. Ndërsa në Angli po vuan të ketë qëndrueshmëri (mban vendin e 15-të), po lëviz në mënyrë të vendosur në Europë. Fazën e grupeve të Championsit e mbylli i pari, ndërsa në raundin e fundit në radhë triumfoi ndaj Sevilla. Në gusht të vitit të kaluar e nisi sezonin me humbjen e “Community Shield”, kundër Manchester United.


    Lexo postimet e tjera