Futboll

Sowe udhëheq Skënderbeun, Guri merr për dore Kukësin

Ka nisur sot java e 23-të e Kampionatit Shqiptar për Kategorinë Superiore, me dy ndeshjet e para që nuk kanë servirur asnjë surprizë, teksa Skënderbeu kryesues ka mposhtur lehtësisht në shtëpi Laçin me rezultatin 4-0, ndërsa në Lushnjë, Kukësi ka triumfuar ndaj lagunarëve të vendit të fundit me rezultatin 1-2. Dy fitore këto që rikonfirmojnë përkatësisht lidershipin e palëkundur të korçarëve, sikurse dhe rigjetjen e hapit të kampionëve në fuqi, që tashmë janë ndjekësi më i fërt i bardhekuqëve. Pas javës së 23-të, Skënderbeu udhëheq në kuotën e 53 pikëve, ndërsa Kukësi ndjek në kuotën e 39 pikëve. Nga ana tjetër, Laçi tashmë pas kësaj humbje rrezikon pozitat në vendin e katërt, teksa fati duket se është vendosur për Lushnjën e vendit të fundit me vetëm 10 pikë.

Skënderbeu vendosi fatin e ndeshjes që në minutën e 4’ kur ka kaluar në avantazh me anë të Alitit. Një epërsi e thelluar nga korçarët, të cilët dyfishuan në të 36’ me Sowe që u shndërrua në protagonistit e padiskutueshëm të fitores së sotme të korçarëve, pasi në të 56’ sulmuesi i bardhekuqëve shënoi dygolëshin e tij personal, pasi mposhti sërish Selmanin. Të pamundur e ka patur në këtë ditë skuadra e Laçit për të reaguar ndaj kryesuesve të klasifikimit. Kur mendohej se po shkohej drejt përfundimit të takimit, ishte i riu Krasniqi ai që vulosi fitoren e Skënderbeut me golin e shënuar në minutën e 85’, për të sigluar shifrat në 4-0.

Skënderbeu-Laçi 4-0

Shënues: Aliti 4’, Sowe 36’, 56’, Krasniqi 85′

Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Aliti, Mici, Nimaga, Muzaka, Dita, James, Gavazaj, Sowe.

Trajner: Ilir Daja.

Laçi: Selmani, Fangaj, Lulaj, Qaqi, Sefgjinaj, Gjoni, Bardhi, Eskerda, Shtubina, Uzuni, Reginaldo.

Trajner: Gentian Mezani.

Skuadra e Kukësit ka vuajtur për të gjetur golin e avantazhit, por me të realizuar në minutën e 41’, falë Idrizit, kampionët në fuqi nuk janë ndalur më. Vetëm dy minuta më vonë, pikërisht në të 43’ ishte pikërisht bomberi Guri ai që dyfishoi shifrat për Kukësin që vendosi fatin e ndeshjes, edhe pse pas 3’ minutash, në të 46’, vendasit reaguan me Cankajn, i cili ngushtoi shifrat, por pa sjellë asnjë ndikim në rezultatin përfundimtar të takimit të mbyllur në favor të kampionëve në fuqi, me rezultatin 1-2.

Lushnja-Kukësi 1-2

Shënues: Canka 46’ / Idrizi 41’, Guri 43’

Lushnja: Bejte, Ruci, Bufazi, Bufasi, Prenci, Magani, Papa, Alushi, Meto, Pepa, Sefa, Canka.

Trajner: Dritan Çuko

Kukësi: Koliçi, Hoxha, Shameti, Idrizi, Rrumbullaku, Dzaria, Musolli, Ethemi, Cale, Shkodra, Guri.

Trajner: Peter Pacult

 

Më shumë nga Futboll