Seria A

Spal ndal Juventus dhe mban hapur kampionatin

Pas 12 fitoresh të njëpasnjëshme në kampionat, Juventus është ndalur në fushën e Spal-it, skuadra që mban vendin e 17-të në renditjen e Serisë A dhe që mban në lojë Napoli-n e vendit të dytë, që nesër do të ketë mundësinë të shkojë dy pikë larg bardhezinjve në renditje.

Kalendari i ngjeshur i kësaj faze të sezonit duket se ka ndikuar te skuadra e Allegri-t që nuk ka qenë e freskët si në ndeshjet e mëparshme dhe nuk ka arritur të çajë mbrojtjen e vendasve, të cilët kanë qenë të organizuar mbrapa deri në fundin e takimit duke mos i dhënë asnjë hapësirë miqve.

Kjo tregohet edhe nga 2 gjuajtjet e vetme që kampionët në fuqi të Italisë kanë bërë në portën kundërshtare, ndërsa Spal nuk ka bërë asnjë të tillë. Ka qenë një pikë e vyer për bardheblutë, që kanë dalë nga zona e rënies nga kategoria dhe kanë shkuar 1 pikë larg vendit të 18-të.

Juventus, pas këtij rezultati, kryeson renditjen e kampionatit me 75 pikë, por ky barazimi mund të rezultojë vendimtar në garën për titull duke parë se pas dy javësh, kur të kthehet kampionati pas takimeve të kombëtareve, bardhezinjtë do të presin Milan-in në shtëpi.

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Seria A