• Spanja mposht Francën me protagonist ‘video asistentin’, Suedia përmbysje historike ndaj Portugalisë së Ronaldo-s

    Publikuar: 28 Mar 10:57

    Ishte një ndeshje interesante sidomos nga ana taktike sfida e zhvilluar në “Stade de France” të Parisit ku spanjollët kanë dalë fitimtarë me rezultatin 2:0. Pjesa e parë nuk kishte shumë momente kyçe dhe i vetmi rast që ia vlen të përmendet është ai i qendërmbrojtësit francez Laurent Koscielny i cili pas një goditje me kokë mund të kishte shënuar po të mos ishte për një prej mbrojtësve spanjollë që bllokon goditjen e mbrojtësit të Arsenal.

    Në pjesën e dytë të dy ekipet sikur u zgjuan dhe Griezmann kalon në avantazh të tijtë, por video asistenti i përdorur për këtë ndeshje ka anuluar golin për shkak të një pozicioni jashtë loje rreth 20 sekonda pasi sulmuesi i Atletico Madrid kishte shënuar. Më pas ishte sërish Koscielny ai që bëhet protagonist kur shkakton një penallti në dëm të Francës.

    Ishte David Silva ai që mori përsipër penalltinë duke mos gabuar dhe duke i dhënë skuadrës së tij avantazhin. Pak më pas erdhi edhe goli i dytë i shënuar nga lotjari i AC Milan Deulofeu. Spanjollët me këtë fitore zbresin me këmbë në tokë skuadrën e Gjelave e cila me kualitetin që ka është cilësuar si një prej pretendentëve kryesorë për të fituar Kupën e Botës.

    Ishte një ndeshje shumë e bukur në “Estadio dos Barreiros” të qytetit të Funchal të Portugalisë teksa vendasit e udhëhequr nga Cristiano Ronaldo megjithëse krijuan një avantazh të dyfishtë, humbën 2:3 ndaj Suedisë. Sfida nuk zgjati shumë me rrjeta të paprekura dhe kjo për meritë të yllit të Real Madrid, Ronaldo, i cili lexon mirë një top në zonë nga Martins duke iu shmangur kundërshtarit me finesë dhe më pas duke goditur topin me klasin e një sulmuesi të një kalibri të lartë.

    Goli i dha vetëbesim vendasve dhe nuk iu desh shumë për të dyfishuar rezultatin teksa provokojnë Granqvist të shënojë një autogol në portën e tij. U duk sikur portugezët do ta fitonin këtë ndeshje, por vizitorët luajtën me tjetër ritëm në pjesën e dytë dhe arritën të barazonin me golat e Cleasson dhe Berg. Në sekondat e fundit të takimit një autogol i Cancelo ka bërë që të jenë suedezët ata që të dalin nga fusha e lojës me një përmbysje historike kundër Portugalisë së Ronaldos.


    Lexo postimet e tjera