RUSI 2018

SPECIALE BOTERORI / Gjithçka që duhet të dini për Grupin G…

BELGJIKA

Lojtari kyç

Kevin de Bruyne
Eden Hazard ndoshta mund të ishte zgjedhur si futbollisti kryesor i Belgjikës pas gjashtë golave dhe pesë asisteve në eliminatore, por organizatori i Manchester City ka qenë në formë të jashtëzakonshme në sezonin e fundit të Premier League dhe është e vështirë mos e imagjinojmë në nivelin më të lartë të mundshëm në Rusi.

Prezantimi
Pas humbjes 3-1 në çerekfinalet e Euro 2016 nga Uellsi, kjo veprimtari mund të përfaqësojë për këta futbollistë mundësinë ideale për të vërtetuar epitetin si “brezi më i mirë i të gjitha kohërave për Belgjikën”. Ky ekip krahas talentit të jashtëzakonshëm të lojtarëve, ndoshta më shumë se çdo ekip tjetër pjesëmarrës mund të bazohet edhe te pjekuria e arritur e futbollistëve kryesorë si Vincent Kompany, Jan Vertonghen dhe Mousa Dembele, që kanë kapur të 30-t. Ndërsa Kevin De Bruyne (26) dhe Eden Hazard (27) duken në kulmin e tyre. Do të jetë o sot o kurrë…

Leksione nga eliminatoret

Nuk kanë mëshirë. Belgjika është kualifikuar duke marrë 28 nga 30 pikë të mundshme. Shënuan tetë gola në dy ndeshje ndaj Bosnjes, 10 gola ndaj Estonisë dhe 5 gola ndaj Gjibraltarit të gjorë. Me ndeshjet e para që do të jenë kundër Panamasë dhe Tunizisë, ky ekip duket se do të vazhdojë në rrugën e nisur.

Pikat e forta

Belgjika ka talente, me bollëk. Duke u nisur nga një prej portierëve më të mirë në botë dhe një mbrojtje super, belgët mund të krenohen edhe me një sulm të fuqishëm që padyshim i bën të besuarit e Roberto Martinez kandidatë për të fituar Kupën e Botës.

Pikat e dobëta

Edhe pse ka futbollistë si Vincent Kompany, Thomas Vermaelen, Toby Alderweireld dhe Jan Vertonghen në mbrojtje, që shquhen për ashpërsinë e tyre, problemi kryesor i Belgjikës është se ndonjëherë luan pa shpirt gare, pa dëshirë për të luftuar.

Ka më shumë mundësi…

Një nga ekipet që mund të fitojnë Kupën e Botës

Ka më pak mundësi…
Të aktivizojë futbollistë të panjohur. Të gjithë luajnë me klube elitare, kryesisht në Premier League ku janë stacionuar 15 nga 23 lojtarët e Belgjikës.
Çfarë shpresojnë…

Arritja e një gjysmëfinale do të ishte një rezultat pozitiv për Belgjikën, me synimin për t’u rikthyer mes katër ekipeve më të mira të Kupës së Botës, atje ku mungon që nga “Meksikë 1986”.

Çfarë pritet të ndodhë…

“Djemtë e artë” do të kualifikohen lehtësisht nga grupi, por më pas do të ndeshen me kundërshtarë të fortë ku do të maten mundësitë e tyre për të shkruar historinë.

Trajneri

Roberto Martinez
Disa nga tifozët e Belgjikës nuk e morën mirë lënien jashtë të Radja Nainggolan, megjithatë spanjolli e di se çfarë bën sepse në 10 ndeshje zyrtare ekipi i tij ka marrë 28 pikë, në saj të 43 golave të shënuar. Një gjysmëfinale do të ishte një “shuplakë” e ish-trajnerit të Everton ndaj çdo kritike të mundshme.

Formacioni i mundshëm: (3-4-2-1)  Courtois, Alderweireld, Kompany, Vertonghen, Marcelo, Meunier, De Bruyne, Witsel, Carrasco, E.Hazard, Mertens, R.Lukaku

PANAMA

Lojtari kyç

Roman Torres
Qendërmbrojtësi me 100 ndeshje me kombëtaren ka shkruar emrin e tij në historinë e Panamasë. Në ndeshje vendimtare ndaj SHBA u hodh në sulm dhe shënoi golin e fitores që i dha përfaqësues së tij mundësinë për të luajtur për herë të parë në Kupën e Botës. Si paradoks, ai luan pikërisht në Amerikë me Seattle Sounders.
Prezantimi
Panama i shkoi shumë pranë pjesëmarrjes në Kupën e Botës 2014, në dëm të Meksikës, por u mposht me një gol në minutën e fundit nga SHBA. Këtë edicion erdhi revanshi. Roman Torres firmosi golin më të rëndësishëm në histori dhe vendi me katër milionë banorë do të shkojë në Rusi, duke lënë jashtë amerikanët që kanë 327 milionë banorë. Ditën pas kualifikimit, presidenti i vendi e quajti ditë feste popullore dhe i dha pushim të gjithëve.

Leksione nga eliminatoret

Panama i shkaktoi SHBA-së dramën më të madhe në historinë e futbollit të tyre, me një fushatë eliminatore, padyshim të ndihmuar edhe nga fati dhe ndoshta të papërsëritshme.

Pikat e forta

Panama mbrohet shumë mirë dhe ka futbollistë me përvojë. Me kalimin e viteve futbollistët më të rëndësishëm të ekipit merren vesh shumë mirë me njëri-tjetrin. Taktikisht janë shumë të disiplinuar dhe dy mesfushorë me tipare mbrojtëse aktivizohen para katërshes së prapavijës.
Pikat e dobëta

Sulmuesi Luis Tejada dhe Blas Perez kanë shënuar secili nga 43 gola me kombëtaren, aspak keq, por janë 36 dhe 37 vjeç përkatësisht. Gjithashtu, problem është mungesa e mbrojtësve anësorë me cilësi.

Ka më shumë mundësi…

Kundër tyre Harry Kane mund të bëhet sulmuesi i parë i Anglisë që shënon tre gola në Kupën e Botës, që pas Gary Linekar në “Meksikë 1986”.
Ka më pak mundësi…
T’i shkaktojnë probleme elitës botërore më shumë se shkaktuan “Panama Papers”.

Çfarë shpresojnë…

Të ndjekin shembullin e “hirushes” Costa Rica në vitin 2014 dhe të kalojnë fazën me grupe.

Çfarë pritet të ndodhë…

Me shumë mundësi, që pas dy ndeshjeve të para në grup nuk do të kenë asnjë mundësi matematikore për t’u kualifikuar.

Trajneri

HERNAN DARIO GOMEZ

Pasi çoi vendlindjen e tij Kolumbinë në Kupën e Botës 1998 u përsërit me Ekuadorin në vitin 2002. Për herë të parë ai udhëhoqi Panamanë drejt veprimtarisë më të rëndësishme. Nuk është çudi përse 4 milionë njerëz e konsiderojnë si “hero kombëtar”.

Formacioni i mundshëm (4-4-2): Penedo, Machado, Baloy, R.Torres, Ovalle, Barcenas, Godoy, G.Gomez, Quintero, Perez, G.Torres

TUNIZIA

Lojtari kyç

NAIM SLITI
Pas dëmtimit të Youssef Msakni, Tunisia varet nga Wahbi Khazri dhe Sliti, një “yll” i ri. Driblimet e Sliti mund të jenë një nga bukuritë e Botërorit. Nëse mbrojtësi kundërshtar nuk është në ditën e tij më të mirë, ai është në gjendje ta turpërojë. Shpresat e Tunizisë janë në këmbët e tij.

Prezantimi

Pas fushatës së dështuar eliminatore në vitin 2010 dhe humbjen në “play off” në vitin 2014, vendi i vogël nga Afrika e Veriut është rikthyer mes kombëtareve më të forta të planetit me një synim të qartë, të fitojë ndeshjen e parë në një Botëror, pas 40 vitesh pritje.

Leksione nga eliminatoret

Fluturojnë ulët, atje ku radarët nuk mund t’i identifikojnë. Fakti që Kongo konsiderohej si favorite e ndihmoi Tunizinë t’i mundte dy herë në harkun e pesë ditëve.

Pikat e forta

Eshtë një skuadër e matur, që bën shumë pak eksperimente dhe rrallë herë futbollistët e saj luajnë me zjarrin. Rezultatet e vitit të fundit i kanë shtuar vetë-besimin.
Pikat e dobëta
Sulmuesi Youssef Msakni është golashënuesi më i mirë, futbollisti më i mirë i Tunizisë dhe dëmtimi që pësoi në ligatet e gjurit do të jetë një problem i madh për ta. As portieri 33-vjeçar Aymen Mathlouthi nuk jep garanci, por nuk ka tjetër dhe pesë trajnerët e fundit të Tunizisë i kanë besuar formacionin, pavarësisht gabimeve të shpeshta, sidomos në daljet gjatë goditjeve nga këndi.

Ka më shumë mundësi…

Të përpiqet në ulë ritmin e lojës me çdo mundësi, duke humbur kohë në çdo situatë. Ndaj Anglisë dhe Belgjikës do të luajnë barazimin, por duke hequr dorë nga sulmi.

Ka më pak mundësi…
Të fitojnë një ndeshje me përmbysje. Kur pësojnë gol tunizianët dorëzohen.

Çfarë shpresojnë…

Të gjitha urojnë që Tunizia të bëj një punë më të mirë se dështimi në Euro 2006, por faktikisht as tifozi i tyre më i zjarrtë nuk beson te klasifikimi para Anglisë dhe Belgjikës.

Çfarë pritet të ndodhë…

Një eliminim pa kushte që në fazën me grupe

Trajneri

NABIL MAALOUL

Ka luajtur 74 ndeshje me kombëtaren e Tunizisë, përfshi edhe pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të vitit 1988 dhe është një figurë shumë e njohur në vendlindje. Për herë të parë merr pjesë në një Botëror.

Formacioni i mundshëm: (4-2-3-1)  Mathlouthi,  Nagguez, Meriah, S.Ben Youssef, A.Maaloul, Ben Amor, F.Sassi, F.Ben Youssef, Khazri, Sliti, Khenissi

ANGLIA

Lojtari kyç

Harry Kane

Sulmuesi i Tottenham shënoi pas vetëm 79 sekondash në ndeshjen e tij të parë me Anglisë, por jo gjithçka ka shkuar vaj për të me kombëtaren, ku përfshihet edhe një Euro 2016 shumë zhgënjyes. Gjithsesi, gjatë vitit 2017 ai shënoi shtatë gola në gjashtë ndeshje me “luanët” dhe është arma kryesore e tyre. Eshtë kthyer në idhull për tifozët dhe do të kërkojë të justifikojnë shiritin e kapitenit.

Prezantimi
Fushata eliminatore nisi me probleme sepse trajneri Sam Allardyce u largua si pasojë e një skandali korruptim me menaxherë të ndryshëm futbollistët. Kjo e detyroi Federatën Angleze të Futbollit t’ia besonte ekipin Gareth Southgate, i ngritur në detyrë nga U-21. Mendohej se do të ishte trajner i përkohshëm, por tani ka marrë emërimin zyrtar dhe mund të përfitojë nga fakti që futbollistët e tij kanë punuar me trajnerë të tillë si Mourino, Guardiola, Klopp, Pochettino dhe Conte.
Leksione nga eliminatoret

Anglia mori një të dhënë të rëndësishme nga miqësoret e fundit dhe fushata eliminatore:

Kyle Walker mund të luajë si qendërmbrojtës.
Pikat e forta

Pavarësisht se shënoi 18 gola në 10 ndeshje, mund të kishte bërë edhe më mirë duke menduar se kundërshtarët ishin Lituania, Malta, Skocia, Sllovenia dhe Sllovakia, megjithatë Anglia ka lojtarë cilësorë përpara si Kane dhe Sterling, ndër më të mirët në Europë, ndërsa Alli, Rashford, Vardy dhe Lingard janë futbollistë të tjerë që e njohin golin.
Pikat e dobëta

Pavarësisht nga pësimi i paktë i golave (kujtojmë edhe një herë nivelin e rivalëve që ka pasur në eliminatore) Anglia ka mbrojtjen më të dobët nga të gjitha ekipet që pretendojnë të fitojnë Kupën e Botës në Rusi.

Ka më shumë mundësi…

Të eliminohet me penallti, edhe pse Italia dhe Holanda nuk janë në Rusi.

Ka më pak mundësi…
Të eliminohet nga grupi, sepse Anglia mund të fitojë pa probleme ndaj Tunizisë dhe Panamasë dhe më pas të luajë për vendin e parë ndaj Belgjikës.

Çfarë shpresojnë…

Të fitojnë Grupin G dhe më pas të kalojnë Kolumbinë ose Senegalin. Çerekfinalja më e mundshme mund të jetë ndaj Brazilit. Gjithçka mund të ndodhë…

Çfarë pritet të ndodhë…

Të dalin në vendin e dytë të grupit, pas Belgjikës, por të shkojnë deri në çerekfinale, atje ku Gjermani ose Brazili do t’i eliminojnë. Përse jo, me penallti…

Trajneri

GARETH SOUTHGATE

Ka qenë në 57 ndeshje mbrojtës i kombëtares së Anglisë dhe nuk harruar ende që ka shënuar me penallti në Euro ’96. I qetë dhe pa emocionet duket si njeriu i duhur për të drejtuar Anglinë, por është i vetëdijshëm se arritja në gjysmëfinale është maksimumi që mund të kërkojë nga futbollistët e tij.

Formacioni i mundshëm: (3-5-1-1) Pickford,  Walker,  Stones, Maguire, Trippier, Dier, Alli, Henderson, Rose, Sterling, Kane

Më shumë nga RUSI 2018