• Spektakël dhe gola në Tiranë, Salihi shmang humbjen e Skënderbeut

    Publikuar: 10 Mar 8:04

    Është mbyllur në barazim 2-2 supersfida e javës së 25-të mes Tiranës dhe Skënderbeut. Një rezultat që më shumë se u shërben ekipeve për renditjen dhe objektivat, u ka shmangur atyre makthin e humbjes. Tashmë Skënderbeu ka marrë kryesimin e klasifikimit në kuotën e 49 pikëve, një më shumë se Kukësi, por me këta të fundit që do të ndeshen këtë fundjavë në shtëpi ndaj Korabit. Nga ana tjetër, bardheblutë kanë regjistruar barazimin e tyre të tretë radhazi, për të regjistruar tashmë 30 pikë dhe për tu renditur në vend të katërt, po aq sa Luftëtari që ka një ndeshje më pak. Ishin bardheblutë ata që çelën serinë e golave, me Ede që zhbllokoi rezultatin që në minutën e 4’. Një epërsi kjo provizore e Tiranës, që zgjati vetëm 13’ minuta, pasi Salihi rivendosi barazinë, duke shënuar golin e parë për korçarët nga pika e bardhë e penalltisë. 24 herë kampionët e kanë mbyllur në epërsi pjesën e parë, me Hoxhallarin që ka realizuar një gol fantastik në minutën e 42’. Vetëm 13’ pas fillimit të pjesës së dytë, Salihi ka realizuar golin e tij të dytë personal duke i dhënë Skënderbeut barazimin, dhe kreun provizor të klasifikimit.

    Pjesa e parë

    Ka nisur si askush nuk e kishte menduar kjo ndeshje mes Tiranës e Skënderbeut, me bardheblutë që kalojnë në avantazh vetëm pak sekonda pas fillimit të lojës. 24 herë kampionët e Shqipërisë kanë kaluar në epërsi në minutën e 4’ të takimit, kur krosimi i Moise nga goditja e këndit është shfrytëzuar maksimalisht nga Ede, i cili në kërcim me kokë, e ka dërguar topin në rrjetën e portës së mbrojtur nga portieri Shehi. Një epërsi që gjithsesi nuk ka zgjatur shumë, pasi në minutën e 17’, skuadra e Skënderbeut ka rivendosur barazinë në fushë. Ka qenë bomberi i ekipit korçar, Hamdi Salihi ai që duke u rikthyer në takimin me golin, aq shumë të munguar, ka barazuar shifrat. Shkodrani ka arritur të mposhtë portierin Lika në duelin nga pika e bardhë e penalltisë, duke shndërruar në gol 11-metërshin e fituar nga Latifi, pasi ky i fundit u pengua në zonën bardheblu. Gjithsesi, ky fraksion i parë loje do të mbyllej njëlloj sikurse startoi, me 24 herë kampionët në avantazh. Vetëm 3 minuta nga përfundimi i kohës së rregullt të pjesës së parë, Hoxhallari i ka ridhënë Tiranës epërsinë, pasi ka realizuar një gol spektakolar nga goditja e dënimit, duke dërguar topin në kryqëzimin e shtyllave, pikërisht aty ku portieri Shehi e kishte të pamundur të ndërhynte.

    Pjesa e dytë

    Pa forcën dhe rrjedhshmërinë në lojë, të shfaqur në ndeshjet e fundit, por aspak të dorëzuar, skuadra e Skënderbeut arrin shumë shpejt të barazojë sërish shifrat. Është sërish dyshja Latifi – Salihi protagoniste kryesore në kampin bardhekuq. Shkodrani ka shënuar golin e tij të dytë personal në këtë sfidë të tijën me të kaluarën, teksa ka bërë më së miri detyrën e tij, duke dërguar në rrjetë një top të goditur nga Latifi, por të përplasur në shtyllën e portës bardheblu. Me rezultatin e sigluar në shifrat 2-2, Tirana vijon të jetë më kërkuese për të marrë maksimumin nga kjo sfidë, duke realizuar disa aksione gati identike, me fillesë nga krahu i majtë i sulmit të saj, për të depërtuar deri në hyrjen e zonës korçare, por pa mundur dot të finalizojë. Nga ana tjetër, kampionët në fuqi i janë afruar golit të avantazhit me Latifin, që ka tentuar të gjejë rrjetën e bardhebluve me goditje të rrezikshme, por duke hasur në pengesën e portierit të Tiranës, Lika. Ky i fundit ka shpëtuar portën e 24 herë kampionëve edhe në sekondat e fundit të takimit, kur ka ndalur Muzakën vetëm pak metra larg portës.

    Tirana-Skënderbeu 2-2 

    Shënues: Ede 4′, Hoxhallari 42′ / Salihi 17′(11-m), 58′

    Tirana: Lika, Doka, Teqja, Cake, Hoxhallari, Daja, Mervej, Akua, Taku, Ede, Moise.
    Trajner: Mirel Josa

    Skënderbeu: Shehi, Vangjeli, Radas, Jashanica, Mici, Orelesi, Lilaj, Nimaga, Xhejms, Latifi, Salihi.
    Trajner: Ilir Daja

    Gjyqtar: Enea Jorgji

    Standings provided by Sofascore LiveScore


    Lexo postimet e tjera