Formula 1

Spektakël i Vettel, triumfon në Silverstone, në podium edhe Hamilton e Raikkonen

Sebastian Vettel fitoi garën e Çmimit të Madh të Britanisë në Formula 1, duke triumfuar në pistën e Silverstone, në fund të një gare me shumë emocione e rivalitet, vendosur në xhirot e fundit të saj. Piloti gjerman i Ferrarit parakaloi 5 xhiro nga fundit finlandezin Valtteri Bottas, që deri në ato momente kryesonte garën, duke korrur një fitore të merituar dhe thellon diferencën me Hamilton në renditjen e përgjithshme. Piloti britanik u rendit i dyti me makinën Mercedes, një garë që nisi keq për të, por që rikuperoi pas futjes në pistë dy herë të makinës në sigurisë. Në podium u ngjit edhe Kimi Raikkonen, i treti me makinën tjetër Ferrari.

Gara nis me surpriza, pasi që pas kthesave të para kemi një kontakt mes Ferrarit të Kimi Raikkonen dhe Mercedes të Lewis Hamilton. Britaniku, që e nis keq garën, del jashtë piste pas kontaktit dhe përfundon i fundit, duke humbur kreun dhe kontaktin me më të mirët, dnërsa finlandezi i “kokëkuqes” dënohet me 10 sekondat penalitet. Ndërkohë që, në krye ndodhet Sebastian Vettel me Ferrari, që bën një start të mirë, duke lënë pas Valtteri Bottas me makinën tjetër Mercedes.

Hamilton nis një rikuperim fantastik dhe pas 20 xhirosh, duke përfituar edhe nga ndalesat në bokse të rivalëve, ngjitet deri në vendin e tretë, por edhe britaniku hyn në bokse për të ndërruar gomat dhe zbret në vendin e gjashtë. Gara dhuron sërish emocione në xhiron e 33-të, kur Ericsson me Sauber përplaset me barrierën mbrojtëse dhe në pistë hyn makina e sigurisë. Pilotët hyjnë sërish në bokse, me përjashtim të dy makinave Mercedes, duke e bërë intersante fundin e garës.

Makina e sigurisë rikthehet në pistë sërish pas vetëm një xhiro, pas aksidentit mes Sainz e Grosjean, duke bërë që 10 xhirot e fundit të jenë spektakolare. Bottas (e mbyll garën i katërti) kërkon të mbrohet, por pa sukses, pasi parakalohet nga Vettel, Hamilton e Raikkonen, që ngjiten në podium, ndërkohë që 4 xhiro nga fundi tërhiqet edhe Max Verstappen me Red Bull, në një garë anonime për të. Ndërsa makina tjetër Red Bull, ajo e Daniel Ricciardo, u klasifikua në vendin e pestë. Vettel shkon në 8 pikë avantazh karshi Hamilton, ndërkohë që gara e radhës është pas dy javësh, në Gjermani.

Më shumë nga Formula 1