Connect with us

Futboll

Sport Bild: Kjo do të jetë skuadra e Gjermanisë në Botërorin 2018

Sport Bild: Kjo do të jetë skuadra e Gjermanisë në Botërorin 2018

Një vit para Botërorit 2018 në Rusi, revista “Sport Bild” ka bërë një parashikim të skuadrës që do të marrë me vete trajneri i Gjermanisë, Joachim Löw, për të mbrojtur titullin kampion bote. Ideja është që çdo lojtar konsiderohet sikur në fund të sezonit do të jetë 100% gati për lojë. Natyrisht, ky parashikim është tepër i hershëm, sepse deri në muajin maj mund të ndodhë gjithçka, por të paktën tifozët, ashtu si edhe lojtarët, mund të thurin ëndrrat e tyre duke pasur parasysh një listë.

Porta

Pas të padiskutueshmit Manuel Neuer, është e kuptueshme se Marc-André ter Stegen tashmë e ka siguruar vendin e dytë. Kevin Trapp, ndërkohë, edhe pse nuk mori pjesë në Kampionatin Evropian të Francës, duket se ka më shumë shanse se Bernd Leno për të shkuar në Rusi. Ky i fundit bëri gabime në Kupën e Konfederatave dhe deri tani mund të cilësohet si portier i katërt.

Mbrojtja

Lojtarët të cilët mund të thuhet që tani se janë mbrojtës të konfirmuar të Gjermanisë për Botërorin e ardhshëm janë Jerome Boateng, Mats Hummels, Shkodran Mustafi, Antonio Rüdiger, Jonas Hector dhe Joshua Kimmich. Kampionët e botës, Benedikt Höwedes dhe Matthias Ginter, duhet të luftojnë për të siguruar nga një vend. Me siguri, mbrojtja e Jogit do të ketë vetëm gjashtë lojtarë, sepse ai do të përpiqet të marrë sa më shumë mesfushorë. Gjithsesi, Niklas Süle, Marvin Plattenhardt dhe Benjamin Henrichs mund ta kenë një shans, bazuar në ecurinë e sezonit të ri.

Mesfusha

Toni Kroos, Sami Khedira, Julian Draxler, Thomas Müller, Mesut Özil dhe Mario Götze deri tani kanë qenë mesfushorët e padiskutueshëm të Gjermanisë, por gjërat edhe mund të ndryshojnë. Për shembull, Götze duhet të rikthehet në formë pas rikuperimit nga çrregullimet metabolike. Ndërkohë, Ilkay Gündogan, Leroy Sané dhe Marco Reus gjithashtu pritet të sigurojnë një biletë për në Rusi, nëse do të jenë gati. Lojtarët të cilët luajtën në Kupën e Konfederatave dhe bindën, si Leon Goretzka, Emre Can dhe Julian Brandt, kanë shanse të mëdha për të provuar veten me më të mirët, ashtu si Amin Younes, i cili, sipas revistës, me aftësitë dribluese që ka, është unik për skuadrën. Sebastian Rudy, edhe pse këtë verë tregoi se ka saktësi bisturie para mbrojtjes, pritet të mbetet në shtëpi prej konkurrencës së fortë. Humbësi i madh mund të jetë André Schürrle, i cili para tre vitesh jepte asistin e golit të triumfit në finalen me Argjentinën, por mund të mos grumbullohet, sepse nuk është më ai i pari.

Sulmi

Mario Gomez dhe Timo Werner aktualisht shihen si dy alternativat më të mira për të luajtur si pykë. Pas tyre, me më pak shanse, renditen Sandro Wagner dhe Kevin Volland. Gomez dhe Wagner janë të mirë në luftën në ajër, kurse Werner dhe Volland mund të përdoren për një lojë me shumë pasime. Padiskutim, këtu Jogi do të ketë dilema të mëdha.

 

 

Më shumë nga Futboll