Kampionati Shqiptar

Starova: Besoj shumë te ky grup, Partizani është “top”!

Partizani vijon stërvitjet me intensitet maksimal në Antalia të Turqisë. Trajneri Starova dhe të tijtë po i “karikojnë bateritë” për gjysmën e dytë të kampionatit

Partizani vijon stërvitjet me intensitet maksimal në Antalia të Turqisë. Trajneri Starova dhe të tijtë po i “karikojnë bateritë” për gjysmën e dytë të kampionatit, ku synimi kryesor dhe i panegociueshëm mbetet fitimi i titullit kampion, i cili mungon prej vitit 1993 në kampin e kuq. Duke qenë 15 herë kampionët e vendit kanë dalë jashtë Kupës së Shqipërisë që në turin e dytë, nuk ka rrugëdalje për “demat”. Titulli, ose sezoni konsiderohet i dështuar! Me një vlerësim të tillë po i drejton futbollistët edhe Starova, ndërkohë që po bëhen përpjekje për të kolauduar më së miri grupin, përmes afrimesh në merkaton e janarit.

Boniface është i konfirmuar tashmë si përforcim i sulmit, Sukaj e ka riveshur fanellën e kuqe, por mbetet të shihet kur do të jetë gati për lojë, pas dëmtimit që ka kaluar, Mazrekaj ka marrë ditën jeshile nga stafi mjekësor për të qenë “full option” në vazhdim të garës. E megjithatë, trajneri Starova thotë se pret edhe afrime të tjera cilësore në këtë dritare të merkatos, pa specifikuar emra dhe reparte. Në faqen zyrtare të klubit është publikuar deklarata e “Bobit” nga Antalia e Turqisë: “Prej katër ditësh po vijojmë përgatitjet këtu në Antalia të Turqisë. Skuadra po merr ngarkesën e duhur, në mënyrë që të përballojmë pozitivisht 2 fazat e ardhshme të kampionatit.

Këtë periudhë po e shfrytëzojmë maksimalisht dhe po punojmë për të përmirësuar të metat që kemi shfaqur në gjysmën e parë të sezonit. Me rëndësi është se lojtarët po i përgjigjen pozitivisht programit stërvitor. Përjashtim bën vetëm Torassa, i cili ende nuk është bashkuar me skuadrën. Jam mjaft i kënaqur nga ekipi, për çka ka dhënë deri tani. Besoj shumë te ky grup lojtarësh, për vetë ambiciet e treguara në 2 fazat e para të kampionatit. Përsa i përket merkatos, kemi afruar në skuadër sulmuesin Boniface. Gjithashtu, presim të kemi sa më shpejt në shërbim të ekipit edhe Mazrekajn e Sukajn, vlerat e të cilëve dihen dhe do ta përmirësojnë ndjeshëm kualitetin e Partizanit.”

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar