Futboll

Starova: “Gabim fatal, vit i mbrapshtë”

Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova është shfaqur gati i dorëzuar, në përfundim të supersfidës ndaj Skënderbeut, e humbur minimalisht nga të kuqtë, me rezultatin 0-1. Një ndeshje që u vendos nga autogoli i Gojkovic në minutën e 62’, për të thelluar edhe më shumë krizën e rezultateve të Partizanit, që tashmë rrezikon edhe vendin e gjashtë, i kërcënuar nga Luftëtari që do të ndeshet të dielën me Vllazninë. Sipas trajnerit Starova, tashmë i rikthyer në pankinën e kuqe pas shlyerjes së gjysmës së pezullimit, ky duket si një vit i mbrapshtë për Partizanin, mungesa e rezultateve të të cilit është ndikuar edhe nga faktorë të jashtëm.

“Është e rëndësishme që skuadra luajti mirë. Por futbolli i ka këto, dikush gabon, edhe pse në rastin e sotëm ai gabim ishte fatal dhe na kushtoi rëndë. Duket se është një vit i mbrapshtë për ne. Nuk po arrijmë të grumbullojmë dot pikë, por jo vetëm për fajin tonë, apo për mungesë të fatit, por edhe për shkak të faktorëve të jashtëm. Ne kemi kontestuar arbitrimin dhe gjyqtarët. Sa i përket çështjes së Skënderbeut në UEFA, mendoj se UEFA dhe FIFA kanë humbur prej kohësh besueshmërinë, dhe nëse vazhdon kështu të gjithë ne jemi të humbur, jo vetëm Skënderbeu. Urojmë që të rigjejë rrugën”, deklaroi trajneri Sulejman Starova.


Klikoni butonin “send to messenger” për të marrë lajmet e fundit me mesazh, zgjidhni ekipin ose sportin tuaj të preferuar


Më shumë nga Futboll