• Starova: Sfida ime me Duron? Përballë kisha Flamurtarin

    Publikuar: 11 Mar 4:22

    Sulejman Starova ka vlerësuar fillimin mbresëlënës të ndeshjes, por ka vërejtje për pjesën e dytë. “Bobi” duket se “ngel në klasë” dyshen e qendrës së mbrojtjes, Atanda-Malota, e cila shfaqi mungesë saktësie dhe koordinimi. Një “thumbim” duket se ka tekniku i të kuqve edhe për Shpëtim Duron, me të cilin kishte sot një sfidë brenda sfidës. Për mikrofonin e “Supersport”, Starova nënvizoi mes të tjerash:

    “Emocionet e pikëve dhe klasifikimit bëjnë të vetën. Nuk jam i kënaqur me lojën. Zhvilluam një pjesë të parë të mirë. Kaluam shpejt në avantazhin 2-0, por mund të shënonim edhe golin e tretë e të qetësoheshim përfundimisht. Lojtarët sikur toleruan në pjesën e dytë, si duket u përfshinë në eufori. Flamurtari ka lojtarë cilësorë dhe mund të na kishte ndëshkuar. Ne e respektuam kundërshtarin që në fillim, ndaj edhe shënuam dy herë. Partizani më krijues në formacion? Do të thoja një fakt tjetër. Nuk është se kemi bërë afrime shumë të mëdha në janar. Arritja më e madhe është riaftësimi i Mazrekajt si dhe afrimi i Cetkoviç. Ne e vuajtëm mungesën e Krasniqit në qendër të mbrojtjes.

    Pra, ishim të detyruar të bënim disa ndryshime në formacion, me të cilin kemi hyrë në fushë që në fillim për të marrë tri pikët. Lojtarët që vijnë nga stoli? Praktikisht i kishim të gjithë lojtarët e mundshëm në formacion, sa i përket mesit të fushës. Patjetër, jemi më të fortë me Bathën, që mungonte për shkak lëndimi. Fili dhe Bardhi, fatkeqësisht nuk po marrin ato minuta që duam t’u japim, sepse skuadra po fiton. Nuk jam i kënaqur nga dyshja Malota-Atanda. Këtë e lidh me ankthin dhe emocionet, që të jep klasifikimi. Shtysat që morëm dje, nga frenimi i Skënderbeut, ndoshta na ngarkuan më shumë se duhet. Sfida ime me Duron? Përballë kisha Flamurtarin, sikurse kam Skënderbeun dhe Kukësin, rivalë për titull.”

    Standings provided by Sofascore LiveScore


    Lexo postimet e tjera