Kampionati Shqiptar

Starova: Me tifozë, kjo fitore do të shijonte më shumë!

Me zë të ngjirur është paraqitur Sulejman Starova në analizën e tij pas ndeshjes së fituar në “Selman Stermasi”, ndaj Korabit. Edhe pse 90-minutëshi i sotëm ishte pa histori, suksesi 2-0 ka sjellë kreun e Superiores. Ky pozicion nuk e ekzalton “Bobin”, që kërkon nga të tijtë të qëndrojnë me këmbët në tokë dhe tërësisht të përqendruar te sfidat e mbetura, duke i marrë ato njëra pas tjetrës: “Ndeshja doli kështu, sepse e përgatitëm mirë atë. Insistuam gjithë javës me bindjen se do të kishim përballë një kundërshtar të motivuar, edhe pse të rënë nga Superiorja. Zhbllokimi i rezultatit na mundësoi që të mos rrezikonim me lojtarë e lënduar.

Po të kishte më shumë publik, do të ishte më bukur. Sidoqoftë, ishin tri pikë me shumë vlera. Kapja e kreut? Edhe kur kemi qenë 2 apo 3 pikë mbas vendit të parë, ne e kemi quajtur veten pretendentë për titull. Prandaj, bashkëkryesimi, pas kësaj jave, me Kukësin nuk na jep ndonjë ndjesi të veçantë. Finishi i garës vlen. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm për të luajtur, kush më mirë e kush jo aq. Nga ndeshja në ndeshje aktivizojmë elementë të ndryshëm. Kjo ndërprerje e kampionatit do të na vërë në dispozicion edhe Mazrekajn, Bathën, Torasën, Krasniqin. Nga lojtarët me pak hapësira, që e nisën titullarë ndaj Korabit, jam i kënaqur.

Konkurrenca në skuadër ka bërë që të mos i marrin minutat si në dy fazat e para. Fili dhe Bardhi kanë dëshirë të madhe për të luajtur, por kanë ende për të rritur nivelin e tyre. Në grupin tonë nuk ka person që nënvlerëson Kukësin, siç ka pretenduar së fundi trajneri Gjoka. Bashkë me Skënderbeun dhe Kukësin do të rivalizojmë fort për titullin, kjo është e qartë. Golaverazhi? Dy elementë ka loja e futbollit, gola të shënuar dhe të pësuar. Sigurisht, objektiv ynë është edhe përmirësimi i këtij faktori. Po punojmë njëkohësisht edhe për këtë, edhe për ndeshjen e radhës.”

Standings provided by Sofascore LiveScore

Më shumë nga Kampionati Shqiptar