Kampionati Shqiptar

Statistika skandaloze; Partizani ka 12 vite pa fituar një ndeshje në Kupat e Europës

Eliminimi ndaj Mariborit nuk përbën ndonjë gjë të re nga “bëmat” e Partizanit në Kupat e Europës, pas viteve 90-të. Por statistikat janë kokëforta dhe tregojnë shumë në të vërtetë. Që nga vitit 2006, Partizani ka plot 12 vite, që nuk është në gjendje të marrë asnjë fitore në Kupat e Europës. Hera e fundit që Partizani ka arritur një fitore europiane është ajo e 24 qershorit 2006, në Kupën Intertoto, kur mundte Ethnikos Achnas 2-1, por pa arritur të kualifikohet, pasi kishte humbur në Qipro 4-2, në ndeshjen e parë.

Një emër i madh si Partizani, plot 12 vite pa fituar asnjë ndeshje në Europë, përbën një të dhënë shumë skandaloze. Në 16 ndeshjet e fundit në Europë, të kuqtë kanë regjistruar 5 barazime, 11 humbje dhe asnjë fitore. Nuk gjen klub analog me histori në Europën Lindore, që të mos ketë fituar një ndeshje në 12 vite (?!) Eshtë statisitikë negative për librat e rekordeve Guiness.

Bën përjashtim pjesërisht viti 2016, kur nën drejtimin e Sormanit, Partizani kaloi një tur në “Champions League”, pas dy barazimeve 1-1 dhe falë penalltive (edhe pse nuk fitohet asnjëra ndeshje ndaj Ferencvarosh). Më pas vijojnë 8 ndeshje europiane, në të cilat të kuqtë kanë shënuar vetëm një gol. Madje, në dy sezonet e fundit kemi 2 eliminime me nga 2 humbje për çdo ballafaqim, me paraqitje shumë të dobta.

Një Partizan i madh, i dalë tradite, i shpërfytyruar. Në Shqipëri ka 25 vite pa dalë kampion, 14 vite pa marrë asnjë Kupë Shqipërie, kurse në Europë baltos emrin me eleminime nga ekipe qytezash pa histori. Një histori që përdhoset nga vitit në vit. Dikur, Partizani mundte Torinon, Austrinë e Vjenës, Celtic; barazonte me Këlnin për 170 minuta. Tashmë, ekipe që në të shkuarën luanin në ligën e dytë, arrijnë fitore e kalojnë ture në Kupat e Europës.

Termi “ekip legjendar” po venitet, nuk ka më vlerë, sepse historia nuk ndalet, ajo po shkruan faqet më të zeza për Partizanin e Panajot Panos, Resmes, Krajës, Boricit, Muratit, Lames, Berishes, Hysit etj. Me atë që shihet nga viti në vit, kjo tendencë negative në Kupat e Europës ka shumë gjasa të vazhdojë gjatë.
Përgatitur nga “KS Partizani”

Më shumë nga Kampionati Shqiptar