Kampionati Shqiptar

Statistika të frikshme, Skënderbeu dominon në gjithçka

Statistika të frikshme, Skënderbeu dominon në gjithçka

Skënderbeu është aktualisht ekipi më në formë në Shqipëri, duke shënuar rekorde të reja në futbollin shqiptar. Ekipi korçar ka luajtur për këtë sezon gjithësej 23 ndeshje, përfshi këtu ndeshjet e raundeve kualifikuese dhe grupet e Europa League dhe ndeshjet e kampionatit.

Stafi i ekipit korçar ka publikuar statistikat e këtij sezoni për Skënderbeun, ku vlen të theksohet se deri tani bardhekuqtë kanë marrë 14 fitore në 23 ndeshje. Kanë 6 barazime dhe 3 humbje. Diferenca mes fitoreve, barazimeve dhe humbjeve është e madhe, çka të bën të kuptosh se ky ekip nuk ka rival.

Sipas sitatistikave, futbollistët e Skënderbeut gjuajnë 11 herë mesatarisht drejt portës për çdo ndeshje. Sulmi i “ujqërve” gjithashtu është i frikshëm, pasi në 23 takime, ata kanë shënuar 47 gola kundrejt 18 të pësuarve. Skënderbeu është ekip që dominon ndeshjen edhe në qarkullimin e topit, duke mbajtur mesatarisht 57% kontrollin e topit.

Madje kjo u duk dhe në ndeshjen ndaj Partizanit të Beogradit, që edhe pse e humbi ndeshjen, Skënderbeu dominoi lojën me kontrollin e topit dhe pasimet e krijuara.

Me këto statistika, të publikuara vetëm pak ditë nga nisja e javës së 10-të të kampionatit, korçarët u përcjellin një mesazh rivalëve në kampionat, se ky sezon do të jetë më shumë se i vështirë për ata.

Më shumë nga Kampionati Shqiptar