Connect with us

Kampionati Shqiptar

Statistikat / Skënderbeu-Partizani, jo vetëm duel strategësh

Superfida e javës së 18-të, që korespoindon edhe me të fundit të fazës së dytë të kampionatit kombëtar, Kategoria Superiore, do të luhet sot, në orën 17:00, në stadiumin e Korçës. Skënderbeu, që mban vendin e dytë në klasifikim aktualisht, me 32 pikë, do të presë “demat e kuq”, po në kuotën e 32 pikëve. Pra, nuk ka diferenca mes dy rivalëve kryesorë për titull, përballen me “valenca” të njëjta. Kjo do të thotë se fitorja e secilës palë lë tjetrën pas vetes, ndërsa Kukësi e ka siguruar titullin “kampion” simbolik i dimrit. Tashmë dihet, juglindorët kanë vendosur “diktaturën” e tyre në 6 sezonet e fundit, duke fituar titullin po kaq herë radhazi, por kësaj here nuk do ta kenë dhe aq të lehtë.

Nga ana tjetër, “demat” nuk e dinë se çfarë është ky trofe, më madhori në futbollin tonë kombëtar, që prej vitit të largët 1993. Asokohe drejtoheshin nga Sulejman Starova, që është në “komandë” edhe aktualisht, që pas largimit të italianit Sormani. Në krye të Skënderbeut është një italian, Agostinelli, njeriu që bëri gjithçka sezonin e kaluar për t’ua rrëmbyer kurorën juglindorëve, si trajner i 15 herë kampionëve të vendit. Pra, Agostinelli do të luajë për herë të dytë kundër së shkuarës së vet të afërme, Partizanit. Herën e parë, në javën e 9-të, barazoi pa gola ndaj “demave”. Po cila është historia e përballjeve mes dy skuadrave, duke tejkaluar emrat e përveçëm të trajnerëve respektivë. Ne po i referohemi fillimisht periudhës nga momenti i rikthimit të Partizanit në Superiore, sezoni 2012-2013 e deri më tani.

Mes të kuqve dhe korçarëve janë luajtur 12 ndeshje, për llogari të kampionatit të Superiores. Kuptohet, në të dyja fushat respektive. Bilanci është në favor të korçarëve, të cilët kanë fituar 4 herë, kanë barazuar 5 herë dhe kanë humbur më pak, 3 herë. Në këtë periudhë kohore, të sipërcituar, Partizani ka shënuar 7 gola në portën juglindore, ndërsa ka pësuar prej tyre 16 gola. Pra, më shumë se dyfishin e atyre që ka në favor. Sa i përket sezonit aktual, veç pikëve, të cilat janë të barabarta, nga 32 të tilla në 17 javë kampionat, ka edhe shifra të tjera, që në krahasimin mes dy kampeve tregojnë jo pak. Skënderbeu ka 9 fitore, 5 barazim3 dhe 3 humbje, përkundrejt 8 fitoreve, 8 barazimeve dhe 1 humbjeje të “demave”.

Kampionët në fuqi, në këtë kohë, kanë shënuar 15 gola dhe kanë pësuar 7 të tillë, duke pasur një golaverazh +8. Duke ecur në të njëjtën “rrugë” edhe për Partizanin, konstatojmë se skuadra e Starovës ka pësuar më pak, vetëm 4 gola, sikurse ka shënuar edhe më shumë se të tjerët, 17 gola. Mestarisht, pra, të kuqtë kanë golaverazh më të mirë, +13. Skënderbeu është skuadra e katërt e Superiores, që ka shënuar më shumë gola në 17 javët e deritanishme të kampionatit, ndërsa Partizani ka pësuar më pak se të gjithë. Në këtë kontekst, duket sikur luan sulmi më i mirë i Superiores me mbrojtjen më të mirë. A është kjo edhe një qasje e filozofisë taktike të dy trajnerëve? Këtë nuk mund ta themi, sepse të kuqtë kanë dy etapa, atë me Sormanin në krye dhe prej disa javësh kampionat me Starovën në drejtim.

Me këtë të fundit në drejtim kanë pësuar 2 gola, por kanë shënuar edhe 9 gola, nga 17 të tillë në total. Pra, me Sormanin shënuan 2 gola në 5 javë, ndërsa me “Bobin” realizuan 15 gola në 12 javë. Kjo tregon se me ndërrimin e trajnerëve finalizimi te 15 herë kampionët ka pasur trend dukshëm rritës, çka nuk mund të thuhet për korçarët, në të njëjtin “segment” të kampionatit. Kjo do të thotë se skuadrat vijnë me një të shkuar të afërme paksa të ndryshme, ku “demat” juglindorët qëndrojnë më lart psikologjikisht, sepse luajnë në fushën e tyre. Starova duket si një yll në ngjitje, ndërsa Agostinelli si një “meteor” në diskutim. Përplasja direkte do të thotë më shumë se shifrat e sipërcituara, të cilat shërbejnë për të bërë “skanerin” më të mirë të të dyja palëve, para duelit “kokë më kokë” të ditës së sotme, në stadiumin “Skënderbeu”.

 

 

Rezultatet e 12 ndeshjeve të fundit, mes Partizanit dhe Skënderbeut

Data Kompeticioni Skuadra Rezultati Skuadra
30/10/16 SUPERLIGA Partizani 0 – 0 Skënderbeu
13/05/16 SUPERLIGA Skënderbeu 0 – 1 Partizani
14/03/16 SUPERLIGA Partizani 1 – 1 Skënderbeu
19/12/15 SUPERLIGA Skënderbeu 1 – 0 Partizani
25/10/15 SUPERLIGA Partizani 2 – 1 Skënderbeu
13/04/15 SUPERLIGA Skënderbeu 5 – 2 Partizani
09/02/15 SUPERLIGA Partizani 0 – 0 Skënderbeu
08/11/14 SUPERLIGA Skënderbeu 3 – 0 Partizani
11/09/14 SUPERLIGA Partizani 1 – 0 Skënderbeu
04/05/14 SUPERLIGA Partizani 1 – 2 Skënderbeu
02/03/14 SUPERLIGA Partizani 0 – 0 Skënderbeu
02/11/13 SUPERLIGA Skënderbeu 3 – 0 Partizani

 

Më shumë nga Kampionati Shqiptar