Tenis

Stephens mbretëresha e re e US Open, fiton në finale sfidën me Keys

Tenistja amerikane Sloane Stephens ka fituar sot grand slemin e US Open për femra, duke mundur 2-0 (6-3, 6-0) në finale patrioten e saj Madison Keys. Ky është suksesi i parë i madh për tenisten 24-vjeçare, që mposhti me shumë lehtësi në finale Keys. Kjo ishte një finale surprizë, pasi askush nuk e kishte imagjinuar një sfidë të tillë për titull në fillim të këtij turneu. Një derbi amerikan, madje edhe në gjysmëfinale ishin kualifikuar 4 teniste amerikane. Shumë nga tenistet pretendente për këtë turne dorëzuan armët një e nga një nga njëri tur në tjetrin, duke e bërë këtë finale një surprizë. Duket se një brez i ri për tenisin amerikan po vjen, po kaq i shkëlqyer sa ai i motrave Williams.

Tenistja amerikane Sloane Stephens ne finale

Ndeshja nuk pati shumë histori, teksa vetëm në fillim të setit të parë pati pak rivalitet, pasi pas barazimit 2-2 është Stephens ajo që dominon në fushë, duke patur epërsi. Ajo shkëputet dhe fiton 6-3 setin e parë, ndërsa i dyti është një formalitet për Stephens, që nuk i fal asnjë “game” rivales së saj Keys, që duket e çoroditur dhe për asnjë moment nuk arrin të rivalizojë. Sloane Stephens fiton 6-0 setin e dytë dhe krejt ndeshjen finale 2-0, duke nisur një festë të çmendur dhe të merituar këtë triumf të parë në një grand slem. Një finale që zgjati vetëm 60 minuta, me Stephens që e dominoi atë, ndërsa Keys për asnjë moment nuk e shijoi këtë finale, pasi ishte sikur nuk e luajti atë.

Stephens dhe Keys gjate ceremonise

Më shumë nga Tenis