Tenis

Stephens: Triumf i çmendur, nuk besoja tek US Open pas 11 muajsh pushim

Më 23 janar të këtij viti, Sloane Stephens i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale në këmbë, pas një shqetësimi që e la për gati 11 muaj pa asnjë ndeshje në fushat e tenisit. Ndërsa sot, tenistja amerikane shijon triumfin në grand slemin e US Open. “Kur bëra operacionin nuk kisha imagjinuar kurrë se do të arrija të fitoja titullin në US Open. Madje as nuk e imagjinoja që do të isha mes 100 tenisteve më të mira në botë për të marrë pjesë në këtë turne”, tha Stephens, që në finalen e luajtur sot, mundi 2-0 (6-3, 6-0) patrioten e saj Madison Keys.

Sloane Stephens me trofeun e US Open

Më tej, tenistja 24-vjeçare thotë: “Kam punuar fort për të qenë në këtë grand slem dhe luaja në çdo ndeshje pa e vrarë mendjen, duke i marrë sfidat një e nga një. Nuk ka qenë e lehtë, pasi për 16 javë me radhë nuk kisha mundësi të vija këmbën në tokë pas operacionit. I mora gjërat me pozitivitet, pasi e dija që një ditë do të rikthehesha në fushë, por nuk ishte ky triumf në US Open ajo që shpresoja. Ëndrra e çdo tenisteje është të fitojë një turne të madh, por që ta fitoja atë pas 11 muajsh pushim, është e pabesueshme”, u shpreh Stephens.

Sloane Stephens me nenen e saj pas turneut

Tenistja amerikane rihyn sërish mes tenisteve më të mira në botë, çka do ta detyrojë atë të ndryshojë program për muajt në vazhdim. “Nuk e prisja këtë triumf dhe tani do të kem mundësi të luaj në mjaft turne të tjerë, pasi i kam pikët e nevojshme”, tha Stephens, që ende nuk e beson se ka në duart e saj trofeun e US Open. “Doja vetëm të merrja pjesë, ky titull është si një dhuratë. Para finales isha nervoze, por trajneri, familja dhe stafi më ndihmuan që të jem e përqendruar. Ndihesha në formë dhe ky rezultat është fantastik”, deklaroi për mediat tenistja amerikane Sloane Stephens, që mori 2,8 milionë dollarë pas fitores.

Finalja, Stephens mposhti 2-0 patrioten e saj madison Keys

Më shumë nga Tenis