Volejboll

Studenti e Tirana kryesojnë renditjen, fitorja e parë për Farkën

Studenti e Tirana kanë marrë kryesimin e renditjes së Kampionatit Kombëtar të Volejbollit për meshkuj pas ndeshjeve të para të javës së dytë të luajtura sot. Ekipet kryeqytetase kanë arritur fitore të pastra 3-0 ndaj rivalëve të tyre, ashtu sikurse ka bërë edhe ekipi tjetër kryeqytetas, i Farka Volley, që korri suksesin e parë sezonal. Tirana arriti një fitore të vështirë sot në Korçë, ku mundi 3-0 skuadrën vendase të Skënderbeut, në një sfidë që nisi mirë për bardheblutë, por që më pas u komplikua. Vendasit e rrisin nivelin e lojës pas setit të parë, duke rivalizuar në dy setet e tjera, aty ku miqtë nga kryeqyteti tregohen më të saktë dhe fitojnë në pikët e fundit 25-23 e 25-22. Gjithsesi, Tirana largohet nga Korça me 3 pikë të rëndësishme.

Nga ndeshja Skenderbeu-Tirana

Tri pikë të arta për renditje merr edhe Studenti, që bashkë me bardheblutë kryeson renditjen e kampionatit pas dy javëve të para, me nga 5 pikë. Kryeqytetasit fituan 3-0 ndaj Elbasanit në “Asllan Rusi”, një ndeshje me rivalitet vetëm në setin e parë, ku miqtë tentuan surprizën. Më tej, gjithçka është në duart e Studentit, që merr masat, ka epërsi në çdo moment dhe fiton me lehtësi dy setet e tjera. Fitoren e parë sezonale arriti edhe Farka Volley, që mundi pa shumë probleme 3-0 Teutën në Durrës. Një ndeshje që u komandua nga ekipi kryeqytetas, që edhe pse me disa largime këtë sezon vazhdon të tregojë se ka një kontigjent të mirë të rinjsh. Java e dytë e Kampionatit të rrjetës do të mbyllet nesër me ndeshjen Partizani-Erzeni, që do të luhet në “Asllan Rusi”.

Volejboll-Meshkuj, java e dytë (sot)

Skënderbeu – Tirana, 0-3 (17-25, 23-25, 22-25)

Studenti – Elbasani, 3-0 (25-23, 25-16, 25-17)

Teuta – Farka Volley, 0-3 (19-25, 18-25, 15-25)

Vllaznia (pushim)

E diel (8 tetor)

Partizani – Erzeni, ora 19:00 (Asllan Rusi)

Renditja: Studenti 5 pikë (2/0), Tirana 5 pikë (2/0), Farka Volley 4 pikë (1/1), Partizani 3 pikë (1/0), Elbasani 3 pikë (1/1), Erzeni 1 pikë (0/1), Teuta 0 pikë (0/2), Skënderbeu 0 pikë (0/1), Vllaznia 0 pikë (0/1).

Nga ndeshja Studenti-Elbasani

Më shumë nga Volejboll