RUSI 2018

Suedi-Itali, kompanitë e basteve besojnë te mrekullia e Ibrës

Shorti i “play off”-eve të Kupës së Botës, i hedhur në Zyrih të Zvicrës, ka vënë përballë njëra-tjetrës Suedinë dhe Italinë (ndeshja e parë do të luhet më 10 nëntor në Malmo, e kthimit më 13 në Meazza). Nuk do të jetë një ndeshje aspak e lehtë për “axurrët”, të cilët do të përballen me një kundërshtar shumë problematik në një moment të vështirë në aspektin e rezultateve.

Rikthimi i Ibrës – Shtypi italian ka folur për një marrëdhënie jo shumë të mirë mes lojtarëve dhe trajnerit Ventura, ndërsa tani kanë filluar të qarkullojnë zërat për një kthimi të Zlatan Ibrahimovic te kombëtarja skandinave. Aktualisht, sulmuesi i Manchester United po rikuperon nga dëmtimi serioz që pësoi prillin e kaluar dhe kjo e bën pothuajse të pamundur rikthimin e tij. Por kompanitë e basteve nuk janë dakord dhe besojn te një kthim i gjigantit nga Malmo për super sfidën me Italinë: koeficienti për kthimin e bujshëm të Zlatan te kombëtarha është 4.75. Pavarësisht nga kjo, ka pak mundësi që Ibra të rikuperojë në kohë për këtë përballje, protagonist i së cilës ka qenë në Euro 2004-ën me një super gol me thembër.

“Nuk e njoh Ventura-n” – 1.08 është kuota për moskthimin, ndërsa 7.50 vlerësohet kthimi me gol i sulmuesit. Një skenar pothuajse i pamundshëm, por që frikëson Italinë. Ndërkohë, trajneri i Suedisë, Janne Andersson, ka ndezur sfidën: “Italia është e fortë, ashtu si Suedia. Cilët lojtarë vlerësoj më shumë? Zakonisht nuk flas për lojtarët individualisht, por tani do të përqendrohem tek ata dhe do t’i studioj, ashtu siç do të studioj Ventura-n për të cilin nuk di asgjë. Historia nuk ka rëndësi. Të them të drejtën, në këtë moment nuk di shumë për Italinë. Ibra? Nuk kam punuar me të sepse ishte larguar nga kombëtarja kur erdha unë. Kemi ndërtuar një skuadër të re pa të. Kemi ardhur deri këtu dhe do të vazhdojmë kështu”.

Më shumë nga RUSI 2018